Tre persona humbën jetën në një masakër të shënuar pak para mesnate në Memaliaj. Shyqyri Kalemi 74-vjeç, Gledio Muka 36 e Marsel Çela 47 mbetën të vdekur në vend pasi u qëlluan me armë zjarri në një lokal pranë bashkisë. Muka shërbente si kamarier e ndodhej pranë tavolinës së shënjestrës ndërsa Çela, klient i lokalit u kap nga plumbat që rezultuan fatalë.
Njëri nga viktimat, shtetasi Shyqyri Kalemi
I plagosur rëndë mbeti Artur Kalemi 57-vjeç, i cili po lufton për jetën në spitalin e Gjirokastrës. Shënjestër ishte i moshuari Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, kushëririt të Aleksandër Sadikajt, i vrarë me eksploziv në Tiranë, më 11 qershor 2022. Pista kryesore që po hetohet është e hakmarrjes.
Andrea Kalemi ka qenë i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë, në mes të dhjetorit të vitit 2022. 49-vjeçari, pronar i një hoteli në Sarandë u ekzekutua në një lokal, pranë shtëpisë së vëllait të tij, në zonën e Selitës, për hakmarrje lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit Sadikaj.
Po ashtu, Andrea Kalemi i ka shpëtuar dy atentateve në Greqi, në një ishull ku ishte me pushime dhe në burg ku u sulmua me thikë nga një i burgosur. Ndërkaq, në janar të këtij viti, në Unazën e Tiranës iu bë atentat nga një makinë në lëvizje, djalit tjetër të Shyqyri Kalemit, viktimës së sotme që ishte dhe objektivi, Zamir Kalemit. Ai mbeti i plagosur rëndë, por mbijetoi.
Atentatorët që shkuan dhe u larguan me automjet, qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të objektivit, Shyqyri Kalemi brenda një lokali pranë bashkisë së Memaliajt, pavarësisht se përreth tij ka pasur persona të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar, në Memaliaj shkuan Forcat Speciale RENEA, ato Kombëtare të Sigurisë, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Ka raportime se pas masakrës, autorët, numri i të cilëve nuk dihet me saktësi janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës. Makina e tyre u gjet e djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër.
Janë ngritur postblloqe kontrollesh në të gjitha akset që mendohet se mund të përdoren prej autorëve për t’u larguar. Kontrollet po kryhen dhe në bashkëpunim me drejtoritë e policisë së qarqeve, Fier, Vlorë e Berat.