Ish-kryebashkiaku i dënuar i Kukësit, Safet Gjici, nga burgu i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit me kërkesën për t’u liruar. Seanca e nisur sot në orën 10:00 u ndërpre pasi gjyqtarja deklaroi se ka pasaktësi në dokumentacion për vendndodhjen. Kërkesa e Gjicit shqyrtohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nga gjyqtarja Suela Lika.
Në kërkesë, ish-zyrtari vendor që u vu në qendër të një video-skandali seksual në mesin e vitit të kaluar, nuk ka dhënë asnjë shkak se cilat janë arsyet që duhet të lërë burgun, por mendohet se lirinë e kërkoi për shkaqe shëndetësore. Ai vuri në dijeni se do të përfaqësohet nga avokati Markeljan Jançe dhe se nuk do paraqitet vetë në seancë.
Pas shprehjes së vullnetit të të dënuarit Safet Gjici për mospjesëmarrje në seancë dhe mbrojtjen e tij nga avokati i zgjedhur, gjykata vendosi që të zhvillojë seancën. Gjici vuan dënimin në burgun e Kosovës së Lushnjes dhe ndodhet i shtruar në spitalin e burgut.
Avokati Jançe deklaroi:
I kemi kërkuar ekspertëve të shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin e paraqitur prej mbrojtjes për arsyet pse duhet zëvendësuar masa e vuajtjes së dënimit nga burg në IEVP Kosovë e Madhe në masën e vuajtjes burg në shtëpi.
Ndërkohë, gjykata konstatoi se në bazë të shkresave zyrtare, Safet Gjici rezulton se vuan dënimin në një institucion tjetër kur në fakt ai faktikisht vuan dënimin në IEDP Kosovë e Madhe të Lushnjës. Gjyqtarja i kërkon avokatit të saktësojë dhe qartësojë cila është vendndodhja e Safet Gjicit. Në këto kushte, seanca u ndërpre. Gjici u dënua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Një vit burg u vendos për Alma Kaçin, e cila kreu aktin seksual në zyrën e tij dhe e filmoi.
Por, në qershor të këtij viti, Apeli prishi vendimin e Shkallës së Parë për Safet Gjicin, duke e dënuar përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg. Tashmë, ish-kryetari i Bashkisë Kukësit u dënua me vendim të formës së prerë. Jo më për shpërdorim detyre, por për korrupsion pasiv.
Edhe për Alma Kaçin, protagoniste në videon seksuale u ndryshua vepra penale. Në Shkallën e Parë u dënua për prostitucion, por Apeli vendosi 1 vit e 6 muaj heqje lirie për akuzën e korrupsionit aktiv.
Që të dy përfituan nga gjykimi i shkurtuar duke i zbritur 1/3-ën e dënimit, përkatësisht 3 vite burg për Gjicin e 12 muaj për Alma Kaçin.