Aktualitet Lifestyle

Sa të sigurt janë ashensorët në shtëpitë tona?

Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, ka bërë thirrje për kujdes të veçantë në lidhje me sigurinë e ashensorëve përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai rikujton ndërtuesit dhe administratorët e pallateve për detyrimet ligjore që lidhen me menaxhimin e ashensorëve.

“Rregulli teknik për ashensorët e përdorur zbatohet për të gjithë ashensorët ekzistues që janë instaluar dhe aktivizuar para datës 31 dhjetor 2019, si dhe për ashensorët e rinj që janë instaluar dhe aktivizuar pas kësaj date,” thekson Gonxhja. Ai shpjegon se detyrimet përfshijnë regjistrimin e ashensorëve pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, vlerësimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rregullt dhe modernizimin e nevojshëm, si dhe mbajtjen e një libri të sigurisë për ashensorin.

Për ashensorët e rinj që instalohen për herë të parë, rregulli teknik përfshin kërkesa të detajuara për komponentët e sigurisë dhe procesin e instalimit. Ky rregull ka për qëllim të përcaktojë detyrimet ligjore për prodhuesit e komponentëve të sigurisë, instaluesit dhe organet e miratuara, duke siguruar që ashensorët dhe pjesët e tyre të plotësojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit.

Gonxhja gjithashtu rikujton detyrimet e përcaktuara nga Neni 3 i ligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, lidhur me markimin CE. Sipas këtij ligji, personi përgjegjës për produktin ose instalimin, qoftë ai pronari, përdoruesi përkohshëm ose punëdhënësi, ka detyrimin të sigurojë përputhshmërinë e produktit me kërkesat e sigurisë.

Në rastin e ashensorëve në ndërtesat e përbashkëta të banimit, përgjegjësi gjatë periudhës së ndërtimit dhe për pesë vjet nga regjistrimi i bashkëpronësisë është sipërmarrësi që ka kryer ndërtimin.