Live From Tirana Showbiz

Sa ndikojnë vitet e martesës në kryerjen e marrëdhënieve seksuale?! Zhaklin Lekatari na tregon më shumë…

Të gjithë e dimë se me kalimin e viteve asgjë nuk është më si më parë, pra ndryshon. Ashtu siç ndodh me prioritetet, punët e ndryshme apo preferencat e ushqimit dhe muzikës, ashtu ndodh dhe me jetën seksuale. Ajo ndryshon me moshën, e sidomos me vitet e martesës.

Nisur nga tema se sa ndkojnë vitet e martesës në kryerjen e marrëdhënieve seksuale, ditën e sotme në “Live From Tirana” ishte e ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike Zhaklin Lekatari, për të diskutuar më shumë lidhur me këtë çështje. Zhaklina tregon më me detaje mbi lidhjen në çift dhe çfarë rëndësie ka seksi në një marrëdhënie. Ajo shprehet:

Si fillim kur flasim për seksin, dua ta saktësoj që duhet të kemi parasysh dhe kontekstin në të cilin flasim. Kontekstin kulturor dhe kontekstin politik. Flasim për vende më të emancipuara, për vende europiane apo po flasim për kontekstin shqiptar e kontekstin e Ballkanit, që është komplet një situatë tjetër. Sigurisht që seksi është i rëndësishëm në një marrëdhënie, jo vetëm në një marrëdhënie ndryshe, por në rradhë të parë në marrëdhënien me veten. Sepse njeriu është një qënie seksuale dhe një pjesë të mirë të identitetit të tij dhe krijimit të personalitetit të tij, është dhe identiteti seksual. Nevojat seksuale janë një nevojë biologjike, nga të cilat nuk duhet të kemi frikë. Ndryshe nga kafshët që riprodhohen vetëm në një periudhë të caktuar të vitit, njeriu nuk bën seks vetëm për t’u riprodhuar, por bën seks dhe për kënaqësi. Kjo është një mënyrë shumë e mirë se si ne mund të njohim veten, të njohim trupin tonë, por edhe partnerin.

Zhaklina u shpreh se sidoqoftë nuk ka një formulë të caktuar që vlen për të gjithë njësoj.

Sipas disa studimeve thuhet se është më mirë të bësh seks në mëngjes, sepse ke më energji, sepse kështu e nis ditën mbarë. Kanalizon stresin, kanalizon ankthin dhe sigurisht që do të kesh më energji sepse do të kesh çliruar hormone të caktuara, që janë hormonet e lumturisë dhe të bëjnë të ndihesh mirë. Sepse seksi është edhe biologjik, edhe psikologjik, edhe fizik. Por nga ana tjetër duhet marrë parasysh edhe ‘background’-i i individit, rrugëtimi edukativ, rrugëtimi seksual i një partneri apo i të dy partnerëve, e kaluara e tyre bashkë, se si kanë ndryshuar gjatë kësaj marrëdhënie, si është komunikimi e si janë rrethanat e jetës së tyre, sepse edhe ato ndikojnë.

Por sa shpesh duhet të kryejnë marrëdhënie seksuale çiftet e lumtur?

Unë mendoj që lumturia është vetë një çast, nuk ekziston në një kohë më të gjatë. Sepse jeta ka dhe të mira, ka dhe të këqija dhe ne kemi çaste lumturie. Me kalimin e kohës, marrëdhënia ndryshon, evulon, ndryshon ndjenja që ne kemi për tjetrin, ndryshon çlirimi i hormoneve që ne kemi. Pra, sipas shkencës, në vitin e tretë është gruaja ajo që humbet vëmendjen nga partneri. Sepse ka nevojë për më shumëllojshmëri ngjarjesh. Nga ana seksuale është gruaja ajo që mërzitet e para. Komunikimi duhet të jetë i rëndësishëm, kuptimi i partnerit tjetër, diversifikimi i asaj që çfarë bëjmë, ndryshimi i ambienteve, rehatia, pasurimi i metodologjisë. Pra dashuria por edhe marrëdhënia seksuale janë një punë, asgjë nuk vjen në një mënyrë spontane. Seksi spontan është i pamundur kur ti je 40 vjeç dhe je gjatë gjithë kohës i angazhuar e mezi e sheh partnerin tënd. Nuk mund t’ja lësh në dorë rastësisë, sepse rastësia mund të ndodhë dhe një herë në muaj.