Bota

Rutte: Nuk më shqetëson rezultati i presidencialeve amerikane!

Në prag të marrjes zyrtare të detyrës, shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte siguron se nuk është i shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të 5 nëntorit, të cilat mund të çojnë në kthimin e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Unë nuk jam i shqetësuar, i njoh shumë mirë dy kandidatët dhe kam punuar me Donald Trump-in për katër vjet.

Ish-kryeministri holandez, nga sot zëvendëson Jens Stoltenbergun. Nga ana e tij, norvegjezi siguroi se Aleanca Atlantike është “në duar të sigurta”, me ardhjen e Ruttes në krye të saj.

Zyrtarët e NATO-s dhe diplomatët presin që Rutte të vazhdojë prioritetet e Stoltenbergut për aleancën që përbëhet nga 32 anëtarë: të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të shtyjë shtetet anëtare që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje, si dhe të mbajë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhuara në sigurinë europiane.

Ka pasiguri edhe sa i përket luftës në Ukrainë e mbështetjes në të ardhmen të SHBA-ve për NATO-n e Kievin, pasi Donald Trump, skeptik i NATO-s është në garë të ngushtë zgjedhore me rivalen demokratem zv.presidenten amerikane, Kamala Harris.

Më 26 qershor, aleatët emëruan kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s dhe hapi ishte thjesht një formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi tërheqjen nga gara. Iohannis kishte dështuar të siguronte mbështetje.

Stoltenberg e quajti Rutten një lider të “fuqishëm transatlantik”.

E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme!

Po ashtu, Rutte njihet për lidhjet me Kosovën ndër vite ndërsa vizitën më të fundit atje e zhvilloi korrikun e vitit të kaluar. Kjo në kohën kur tensionet me Serbinë, vendi i kishte në kulm për shkak se në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

Holanda e tij ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes së saj, në vitin 2008. Në atë kohë, kryeministër ishte Jan Peter Balkenende. Rutte e mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë, në tetor të 2010-ës.