Rusia kreu sulme të reja duke dëmtuar sot infrastrukturën energjetike në pesë rajone të Ukrainës, siç njoftuan zyrtarët ukrainas. Objektet energjetike pësuan dëme në rajonet Donjeckut në lindje, Zaporizhjas në juglindje, në Dnipropetrovsk, në rajonin qendror Kirovohrad e në atë perëndimor Ivano-Frankvisk, referuar operatorit të rrjetit energjetik, Ukrenerho.
Mëngjesin e sotëm, rusët kryen një tjetër sulm në objektet energjetike të Ukrainës. Prej marsit janë kryer gjashtë sulme të mëdha raketore dhe me dronë kundër infrastrukturës energjetike civile.
DTEK, kompania më e madhe e Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike, tha se gjatë sulmit u goditën dy prej termocentraleve të saj dhe se pajiset e saj u “dëmtuan rëndë”. DTEK nuk tregoi se ku ndodheshin ato objekte.
Rusia i ka shtuar bombardimet kundër infrastrukturës energjetike civile në Ukrainë prej muajit mars, duke shkatërruar shumicën e kapaciteteve të termocentraleve e hidrocentraleve. Për pasojë pati reduktime të energjisë dhe import të saj në sasi rekord.
Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kundërajrorët e tyre rrëzuan 35 nga 53 raketat ruse dhe 46 nga 47 dronët po rusë.
Terroristët rusë nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre për të shkatërruar sektorin e energjisë së vendit. Forcat Ajrore dhe ato të Mbrojtjes të Ukrainës po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mos e lejuar armikun ta arrijë qëllimin e tij në çdo cep të frontit, – tha komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, gjenerali Mykola Oleshchuk.
Zyrtarët rajonalë deklaruan se zjarrfikësit janë duke luftuar me zjarret në disa zona, pas sulmeve të sotme. Por, nuk është raportuar për viktima.
Sulmet e reja ruse u kryen dy ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden i dha leje Ukrainës t’i përdorë armët e SHBA-ve për të kryer sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara, për të mbrojtur Harkivin.
Në një intervistë për REL-in në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ndryshimi i qëndrimit të SHBA-ve është “i ligjshëm”, sepse Ukraina po e mbron veten, sidomos në Harkiv, qytet i cili ndodhet vetëm 35 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë.
Deri tani, ushtria ukrainase nuk ka qenë në gjendje t’i godasë me armë perëndimore forcat e Moskës të mbledhura në territorin rus, pranë kufirit ukrainas. Kjo për shkak se Amerika dhe disa aleatë të tjerë perëndimorë të Ukrainës shqetësoheshin se ato do ta përshkallëzonin luftën.
E drejta për vetëmbrojtje përfshin edhe të drejtën për t’i goditur objektivat në territorin e agresorit. Pikërisht këtë duhet të jetë në gjendje ta bëjë Ukraina, – tha Stoltenberg.