Bota

Rusia sulmon me raketë balistike ndërkontinentale në Ukrainë!

Ukraina thotë se Rusia lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale gjatë natës, duke shënjestruar qytetin Dnipro në pjesën qendrore-lindore të vendit. Hera e parë që Moska përdor një raketë të tillë gjatë luftës. Raportimet e Forcës Ajrore të Ukrainës për sulm rus me raketë balistike ndërkontinentale pasuan goditjet e Ukrainës me raketa amerikane e britanike ndaj objektivave brenda territorit rus këtë javë, pavarësisht paralajmërimeve nga Moska se një veprim të tillë do ta konsideronte si përshkallëzim të madh në luftën 33-muajshe.

Forca Ajrore e Ukrainës njoftoi se trupat ruse sulmuan Dnipron me lloje të ndryshme raketash, përfshirë lëshimin e një balistikeje ndërkontinentale. Rusia që pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, nuk e komentoi deklaratën e Forcave Ajrore. Po ashtu, lëshoi një raketë hipersonike Kinzhal dhe shtatë raketa lundruese Kh-101, nga të cilat gjashtë u rrëzuan, siç theksoi Forca Ajrore e Ukrainës.

Raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) janë armë strategjike të prodhuara për të shpërndarë koka bërthamore e një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes bërthamore të Rusisë. Ukrainasit nuk specifikuan se çfarë lloj koke kishte raketa apo çfarë tipi ishte. Nuk ka asnjë sugjerim nëse ishte e pajisur me armë bërthamore.

Sipas autoriteteve vendase, një ndërmarrje industriale u dëmtua në Dnipro për shkak të goditjes, si dhe dy zjarre shpërthyen në qytet. Kryetari i Bashkisë së Dnipros, Borys Filatov, shtoi se godina e Qendrës për Rehabilitimin e Personave me Aftësi të Kufizuar u dëmtua nga bombardimet.

Ky zhvillim ndodh ndërsa lufta ka marrë një dimension gjithnjë e më ndërkombëtar pasi trupat e Koresë së Veriut u zhvendosën për të ndihmuar Rusinë në fushën e betejës.

Një ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ukrainë raportoi se kishte marrë “informacione specifike” në lidhje me një sulm të mundshëm të rëndësishëm ajror rus, një ditë më parë. Si masë paraprake, selia diplomatike e Uashingtonit u mbyll. Më pas, edhe misionet diplomatike të Spanjës, Italisë e Greqisë, po ashtu njoftuan mbylljen për vizitorët një ditë më parë.