Bota

Rusia: Rrëzuam disa dronë të Ukrainës!

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar 11 dronë të lëshuar nga Ukraina në katër rajone të Rusisë mëngjesin e sotëm. Në një postim në Telegram deklaroi:

Sistemet e mbrojtjes ajrore penguan dhe shkatërruan tre dronë mbi rajonin e Belgorodit, katër mbi atë të Kurskut, dy dronë në rajonin e Voronezhit dhe dy në rajonin e Rostovit.

Edhe një ditë më parë, zyrtarët vendas në Kursk kishin raportuar për sulme me dronë e granata të Ukrainës.

Nga granatat e Ukrainës janë plagosur pesë persona, përfshirë tre fëmijë në Kursk të Rusisë.

Guvernatori Alexei Smirnov bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore ruse rrëzuan të paktën 26 dronë që Ukraina lëshoi në orët e para të ditës së djeshme.

Disa banesa janë dëmtuar nga bombardimet në rajonin e Kurskut, që gjendet në kufi e Ukrainën, tha Smirnov përmes një postimi në Telegram.

Në një postim tjetër, Smirnov u shpreh se një ditë më herët, pra të hënën e 5 gushtit, Ukraina sulmoi me dronë dhe granata këtë rajon, që gjendet në kufi me Ukrainën, si dhe pretendoi se Rusia ka shkatërruar 41 dronë. Por, këto pretendime të tij nuk janë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur nga burime mediatike.

Si Moska, ashtu edhe Kievi, rrallë pranojnë për dëmin real të shkaktuar nga sulmet që kryejnë në territoret e dy vendeve respektive. Ukraina ende nuk ka reaguar për këtë sulm.

Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës bënë të ditur se kanë zmbrapsur kërcënimet ruse me dronë në disa rajone ukrainase.

Administrata ushtarake e rajonit të Kievit tha se sistemet e mbrojtjes ajrore të kryeqytetit ukrainas u aktivizuan ndaj dronëve rusë.

Rusia që nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, sulmon shtetin fqinj me lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë e raketa. Pavarësisht dëshmive të shumta, Moska mohon se sulmon infrastrukturën civile. Edhe Kievi thotë shpesh se sulmon objektivat e ushtrisë ruse, infrastrukturën e energjisë, për të penguar luftën që Rusia po vijon prej rreth dy vitesh e gjysmë, në shkurt 2022.