Bota

Rusia pranë ndryshimit të doktrinës bërthamore/Shkak Perëndimi!

“Rusia do të bëjë ndryshime në doktrinën e saj bërthamore në përgjigje të veprimeve të Perëndimit sa i përket luftës në Ukrainë”. Deklarata u bë nga zv.ministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS. Ryabkov nuk dha detaje se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

Doktrina aktuale bërthamore e Rusisë, që është përcaktuar përmes një dekreti të presidentit Vladimir Putin, më 2020-ën, thotë:

Rusia mund të përdorë armë bërthamore në rast të një sulmi bërthamor nga ndonjë armik apo ndonjë sulmi konvencional që kërcënon ekzistencën e shtetit.

Shteti rus që akuzon Perëndimin se përdor Ukrainën për të luftuar Moskën, më herët ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e ndryshimeve në doktrinën bërthamore. Deri tani, deklarata e Ryabkovit duket më e qarta sa i përket synimit të Rusisë për t’i realizuar këto ndryshime.

Puna është në një fazë të avancuar dhe ka një qëllim të qartë për të bërë përmirësime. Vendimi për ndryshime në doktrinën bërthamore lidhet me kursin përshkallëzues të armiqve tanë perëndimorë sa i përket luftës në Ukrainë.

Ukraina po përballet me pushtim rus që nga shkurti i vitit 2022. Perëndimi e ndihmon Kievin me pajisje ushtarake dhe tjetër ndihmë financiare e humanitare. Në doktrinë, armët bërthamore përshkruhen si “mjete mbrojtëse” dhe që mund të përdoren në “situata ekstreme”.

Gjithashtu, përmendet se Rusia do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zvogëluar kërcënimin bërthamor e do të parandalojë përshkallëzimin e tensioneve që mund të nxisin konflikte ushtarake, përfshirë ato bërthamore.

Ndër të tjera, thuhet edhe se “mbrojtja bërthamore synon t’i bëjë të ditur armikut që hakmarrja është e pashmangshme në rast agresioni kundër Federatës Ruse apo aleatëve të saj”.

Sipas doktrinës, armët bërthamore do të mund të përdoren në situata specifike:

Nëse sigurohet informacion i besueshëm për nisjen e një rakete balistike, që shënjestron territorin e Rusisë apo të aleatëve.

Nëse sulmi i armikut me armë konvencionale kërcënon ekzistencën e Rusisë.

Nëse kryhen sulme në objekte tejet të rëndësishme të qeverisë apo ushtrisë ruse, të cilat mund të minojnë kapacitetet shtetërore për hakmarrje me sulm bërthamor.

Në Rusi ka zëra që bëjnë thirrje për ashpërsim të retorikës në dokument, me arsyetimin se ka mangësi të theksuara. Sipas tyre, doktrina nuk ia ndalon Perëndimit që të rrisë ndihmën për Ukrainën dhe jep përshtypjen që Moska nuk do t’i përdorë ndonjëherë armët bërthamore.