Bota

Rusia godet kryeqytetin ukrainas Kiev me një valë sulmesh ajrore!

Rusia ka kryer disa valë sulmesh me dronë që kanë shënjestruar edhe Kievin mëngjesin e ditës së sotme ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase tha se me sukses ka arritur që ta mbrojë kryeqytetin ukrainas nga këto goditje që zgjatën pesë orë.

Të gjithë dronët e hedhur nga trupat e Moskës drejt Kievit ose u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ose u neutralizuan nga pajisjet elektronike luftarake, siç shkroi në Telegram shefi i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko. Referuar informacioneve paraprake, nuk ka viktima apo dëme.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, raportoi se copëzat e një droni të rrëzuar ranë mbi një objekt të banuar dhe ekipet e emergjencave kanë shkuar e po punojnë atje.

Forcat ajrore ukrainase bënë të ditur sot se rrëzuan 67 nga 73 dronët e një nga tre raketat e hedhura nga Rusia gjatë sulmeve. Guvernatori Ruslan Kravchenko nuk raportoi dëme në infrastrukturën kritike apo të banuar. Por, vuri në dukje se sulmet kanë shkaktuar pesë zjarre në rajonin e Kievit.

Rusia ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Kiev, si dhe në pjesën tjetër të Ukrainës në muajin që po lëmë pas duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë elektrike, atë të ushtrisë e transportit, sulme që kanë vrarë me dhjetëra civilë. Shteti rus mohon se po shënjestron civilët në Ukrainë, në pushtimin e nisur më 2022-shin, pavarësisht provave që vetëm dëshmojnë të kundërtën.

Për Moskën zyrtare, “ky nuk është një pushtim”, por “një operacion special për çmilitarizimin e vendit fqinj”. Qëndrimi po përsëritet shpesh edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Teksa lufta në Ukrainë ka hyrë në një periudhë kritike, Bashkimi Europian ka marrë vendim se duhet të ketë përgjegjësinë për atë që e sheh si “një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Bllokut”, duke u përgatitur që të mund të mbajë një pjesë të barrës financiare, ndoshta edhe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dërguarit e BE-së kanë punuar në Bruksel në javën e kaluar mbi një propozim për t’i dhënë Ukrainës një paketë të madhe kredie me vlerë deri në 39 miliardë dollarë. Lajmi u njoftua nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë një udhëtimi në Kiev, para disa ditëve.