Bota

Rusia feston fitoren në Bakhmut, Kievi pretendon se luftimet vazhdojnë!

Rusia shpalli e po feston fitoren në Bakhmut, qytetin strategjik në lindje të Ukrainës, edhe pse Kievi pretendon se luftimet ende vazhdojnë. Nga Hiroshima e Japonisë ku po merr pjesë në samitin e G7-ës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se pak ka mbetur nga Bakhmuti dhe se qyteti është shkatërruar thuajse plotësisht.

I pyetur nëse Bakhmuti është nën kontrollin e Ukrainës, Zelensky nuk u tregua shumë i qartë:

Mendoj që jo! Sot, Bakhmuti është vetëm në zemrat tona.

Kjo u interpretua si konfirmim i humbjes së Bakhmutit.

Më vonë, zyra e presidentit ukrainas sqaroi se Zelensky nuk pohoi rënien e qytetit. Zëdhënësi Sergiy Nykyforov mohoi pretendimet se Bakhmuti është në duart e forcave ruse. CNN-it i tha se përgjigja e Zelenskyt, “mendoj që jo”, i referohej pretendimeve të Moskës për pushtimin e qytetit.

Presidenti e mohoi që Bakhmuti u mor!

Deklarata e presidentit ukrainas erdhi disa orë pasi Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mercenarët pro-rusë të grupit Wagner, të mbështetur nga trupat e Rusisë kishin marrë Bakhmutin.

Presidenti rus, Vladimir Putin uroi ushtarët “për pushtimin e qytetit”, me mesazhin se më të spikaturit do të shpërblehen. Këto pretendime vijnë teksa thuhej se Ukraina realizoi përparim të prekshëm në fushën e betejës, në zonat në veri e në jug të Bakhmutit.

Po ashtu, këto pretendime përkojnë me kohën kur Ukraina po përgatitet për një kundërofensivë në vijën e betejës, e gjatë më shumë se 1 mijë kilometra. Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se numri i ushtarëve rusë të vrarë e të plagosur në Bakhmut varion ndërmjet 20 mijë e 30 mijë, ndërsa edhe ushtria ukrainase ka paguar një çmim të lartë.

Rusia dhe Ukraina kanë luftuar prej disa muajsh në Bakhmut e beteja për atë qytet rezulton më e gjata që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në fund të shkurtit të vitit të kaluar.