Rusia sot kreu dy sulme kundër një spitali në rajonin kufitar të Ukrainës, Sumi, duke vrarë të paktën nëntë persona dhe plagosur 12 të tjerë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i dënoi sulmet, duke deklaruar se Rusia “po kryen luftë kundër spitaleve”.
Në X, shkroi se ekipet ukrainase të shpëtimit “janë duke bërë gjithçka për t’u ofruar ndihmën e nevojshme qytetarëve të vendit”. Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, fillimisht u shpreh se gjashtë njerëz u vranë, përfshirë një zyrtar policor.
Si pasojë e sulmit të parë, një person u vra dhe disa kate të spitalit u shkatërruan, tha Klymenko në Telegram, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po i evakuonin pacientët nga spitali kur Rusia kreu edhe një sulm tjetër.
Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja e tyre ajrore rrëzoi 69 nga 73 dronët e lëshuar nga Rusia në rajonet ukrainase mëngjesin e sotëm.
Po ashtu, Rusia lëshoi dy raketa balistike dhe dy raketa lundruese në Ukrainë, siç konfirmoi Forca Ajrore, duke shtuar se “dy raketat e lundrimit u rrëzuan”.
Administrata ushtarake e Kievi tha se 15 dronë rusë u rrëzuan në periferi të kryeqytetit ukrainas. Vala e re e sulmeve ruse ndodhi një ditë pasi presidenti Zelensky u takua me kandidatin republikan për president dhe ish-presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, në mesin e tensioneve mbi atë që kritikët e quajnë qëndrimi “pro-rus i ish-presidentit”.
Një takim shumë domethënës me Donald Trump-in, shkroi Zelensky në Telegram pas bisedimeve të djeshme në Trump Tower në Nju Jork.
I paraqita atij Planin e Fitores dhe që shpjegon në detaje situatën në Ukrainë e pasojat e luftës për popullin tonë. Diskutuam shumë detaje.
Duke qëndruar pranë Zelensky-t para bisedimeve, Donald Trump u shpreh se nëse zgjidhet në muajin nëntor “do të punojmë me të dyja palët” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kam marrëdhënie shumë të mira me Zelensky-n dhe gjithashtu kam marrëdhënie shumë të mira, siç e dini, me presidentin Putin.