Bota

Rusia bën thirrje për avancim të mëtejshëm në Ukrainë!

Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus i cili tani është zëvendësshef i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, bëri thirrje që trupat ruse të avancojnë më thellë në territorin e Ukrainës teksa Moska pretendoi se ka rrëzuar dronë dhe raketa të Ukrainës që shënjestronin rajonin e Kurskut.

Guvernatori në detyrë i rajonit të Kurskut, Aleksei Smirnov, dje shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa ofensiva tokësore ukrainase po vazhdon dhe Rusia tha se kjo ofensivë po mbështetet nga tanket, autoblindat e artileria.

Sot, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka rrëzuar gjashtë dronë dhe pesë raketa mbi rajonin e Kurskut e 14 dronë në të Belgorodit. Duke komentuar për inkursionin ukrainas në rajonin e Kurskut, Medvedev tha se Moska duhet të synojë përtej sigurimit të territoreve që Rusia pretendon se janë të vetat dhe bëri thirrje për avancim të mëtejshëm në rajonet ukrainase të Odesës, Harkivit, Dnipros, Mikolajivit e Kievit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më herët ka akuzuar Kievin se ka gjuajtur raketa ndaj civilëve dhe objektivave të banuara në rajon. Blogerët rusë proluftës thanë se një numër i fshatrave janë marrë nën kontroll nga forcat ukrainase që po përparojnë në territorin rus. Dje, Putin u shpreh se ky operacion ushtarak “është një tjetër provokim i madh”.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar për inkursionin e raportuar në Kursk, por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi një ditë më parë se është e rëndësishme të vazhdohet me shkatërrimin e armikut “po aq saktë sa dinë ushtarët tanë dhe po aq në mënyrë efektive sa jep rezultat”.

Sa më shumë presion ndaj Rusisë, aq më afër do të jetë paqja.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano i tha shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se megjithëse Blloku nuk komenton operacionet në fushëbetejë, BE-ja beson se “Ukraina ka të drejtën ligjore për të mbrojtur veten, duke përfshirë goditjen e agresorit në territorin e tij”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kirby vuri në dukje se Shtëpia e Bardhë ka kontaktuar me Ukrainën “për të kuptuar më mirë” situatën në rajonin e Kurskut.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, konfirmoi se politika e Uashingtonit për përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina, përtej kufirit apo kundër ndërtesave ushtarake ruse, nuk ka ndryshuar.