Gjykata Kushtetuese e Rumanisë njoftoi se një kandidate nacionaliste për zgjedhjet presidenciale në vend nuk i plotëson kushtet për të garuar e kjo për shkak të qëndrimeve të saj pro ruse, si dhe kundër Bashkimit Europian e NATO-s. Kushtetuesja vendosi që ta heqë Diana Sosoaca-n, kryetaren e partisë opozitare ultranacionaliste dhe euroskeptike, SOS Romania nga lista e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Ajo vetë e publikoi vendimin që nuk ka kaluar në heshtje e ka nxitur politikanët nga i gjithë spektri politik që të ngrejnë shqetësime se sipas tyre “gjykata i ka tejkaluar kompetencat e veta”.
Rumania, vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s do të mbajë zgjedhje presidenciale me dy raunde, muajin e ardhshëm, më 24 nëntor e 8 dhjetor, ndërsa votimet parlamentare do të zhvillohen në mes dy datave.
Sipas Kushtetutës, çdo qytetar rumun mbi moshën 35-vjeçare e që nuk ka një histori kriminale, ka të drejtën të garojë për kryetar shteti. Por, Kushtetuesja argumentoi se qëndrimet publike të Sosoacas bëjnë që ajo të mos jetë në gjendje ta mbajë zotimin presidencial për nderimin e Kushtetutës, si dhe për mbrojtjen e demokracisë, nëse do të zgjidhej në postin e presidentes.
Pesë nga nëntë gjykatësit votuan për largimin e Sosoacas, dy dhanë votat kundër, ndërsa dy të tjerë abstenuan. Diana Sosoaca, anëtare e Parlamentit Europian, njihet për qëndrimet e saj antisemitike e pro-ruse. Por, pavarësisht kësaj, disa politikanë thanë se mohimi i të drejtës së politikanes për të garuar në zgjedhje e minon sundimin e ligjit, si dhe vendos një precedent të rrezikshëm në eliminimin e kandidatëve në shtetin rumun.