Bota

“Ruleta ruse” e Putin/ Arroganca dhe gënjeshtrat e gjeneralëve i shkaktuan goditjen në Kursk!

Vetëm tre ushtarë mbetën për të ruajtur fortesën e Ukrainës në pyllin Pokrovsk pranë Donjeckut 907 ditë më parë kur Rusia nisi ofensivën.

Gjeneralët rusë urdhëruan sulme të vazhdueshme me raketa në adresë të ushtrisë ukrainase dhe këta të fundit iu desh të tërhiqeshin me nxitim. Që nga ajo kohë situata ka ndryshuar. Nuk mund të thuhet se është përmbysur, por ka ndryshuar shumë.

Tani Rusia po tërheq trupa ushtarake pikërisht nga kufiri me Donjeckun për t’i çuar në Kursk. Aty ku ukrainasit bënë surprizën e madhe dhe ngjallën shpresën jo vetëm të popullit të tyre, por të Europës, se Rusia mund ta pësojë aty ky nuk e pret. Shumë analistë e quajnë këtë situatë “ruleta ruse e Putinit”. Arsyeja është se ai nuk pranon realitetin ku ndodhet.

“Cari” i ri i Rusisë vendosi të luajë ngadalë dhe ta mbajë Ukrainën nën presion të vazhdueshëm duke përdorur kartën e demoralizimit, pa i bërë llogaritë me problemet që i vinin nga brenda. Ato kryesisht kishin të bënin me dy faktorë: korrupsionin në radhët e ushtrisë dhe arrogancën e gjeneralëve të tij.

Shpesh nga frika, ose nga deliri për sa më shumë famë e sukses, Putinit nuk i treguan gjendjen reale në pikat kyçe të kufirit dhe kjo goditje mund të jetë më e dëmshme se sa ai mendon Inkursioni i Ukrainës në Rusi ka nxjerrë në pah vetëkënaqësinë e dukshme të zyrtarëve rusë përgjegjës për kufirin. Shumë banorë vendës akuzojnë qeverinë për minimizimin e sulmit ukrainas ose keqinformimin e tyre për rrezikun.

Për ditë të tëra, televizioni shtetëror ka shfaqur buletinet ushtarake, duke raportuar sulme të suksesshme ruse ndaj trupave ukrainase në “zonën kufitare” pa specifikuar nëse një ushtri e huaj ishte ende në tokën e saj. Ndërsa banorët rusë të rajonit të Kurskut thonë se janë të zhgënjyer nga qeveria e tyre, pasi mendonin se nuk do të ndodhte kurrë një gjë e tillë.

Moska zyrtare është ankuar se Ukraina ka përdorur armë amerikane, por kjo nuk ndryshon situatën dhe as qëllimet e Zelenskyt për vazhduar me një taktikë të tillë. Vetëm gjatë natës së djeshme Ukraina njoftoi se ka rrëzuar 14 dronë rusë.