Për gjithë dashamirësit e futbollit: e premtja juaj e preferuar sportive në TAR erdhi! Me shumë të ftuar dhe diskutime në studio, padiskutim “Paso” është emisioni të cilin duhet të dëgjoni për të kuptuar të rejat dhe analizat më të rëndësishme nga profesionistë të fushës dhe jo vetëm. Në studio këtë episod ishin Lenida Halilaj dhe Ervi Sharra, por pati gjithashtu komunikime me lidhje telefonike. Një ndër ta ishte dhe ish- kapiteni i Kombëtares tonë, i cili foli shumë rreth ndeshjes që do të zhvillohet për pak, Angli- Shqipëri.
Fillimisht, Vata u shpreh më shumë rreth rëndësisë së madhe të kësaj ndeshje për vendin tonë.
Është një ndeshje e madhe për kombëtaren shqiptare, për imazhin tonë dhe të ardhmen e futbollit shqiptar.
Sa optimist për një barazim të mundshëm është ish- kapiteni dhe si i duket situata e skuadrës sonë, Vata shprehet se:
Mendoj po të shikosh grupet e futbollistëve që na përfaqësojnë janë rritur jashtë dhe ndjenja jonë e inferioritetit ndaj skuadrave të tjera është shumë më e vogël se në kohën kur luaja unë. Janë djem të rinj të talentuar që luajnë shumë mirë. Mendoj se barazimi do ishte një rezultat i jashtëzakonshëm, sidomos kundrejt Anglisë, në të gjitha aspektet. Në aspektin e motivimit për të ardhmen e futbollit shqiptar. Duhet të jetë e vështirë, por jo e pamundur.
Si i duket ish- kapitenit, trajneri aktual i kombëtares sonë Edi Reja dhe organizimi që ai po bën me kombëtaren?
Nuk jam simpatizant i Edi Rejas, nuk ka energji të mjaftueshme për të përballuar problemet e Shqipërisë. Duhet shumë energji, grind, karakter. Ai është me shumë eksperiencë, por nuk ka energji. De Biasi ka patur një lloj energjie, energji pozitive.