Aktualitet

Rrumbullaku pret në takim delegacionin e FBI: Skuadra të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar!

Policia e Shtetit dhe FBI amerikane do të rrisin bashkëpunimin nëpërmjet skuadrave të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar.

Këtë e bëri me dije, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili priti sot në takim një delegacion të Zyrës Federale të Hetimit të SHBA-së, të shoqëruar nga drejtuesi i Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnimet mbi Hetimet Kriminale (ICITAP) në Ambasadën amerikane, Richard Deasy.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi qasjen proaktive të Policisë së Shtetit për hetimin e krimit të organizuar dhe rëndësinë e bashkëpunimit me FBI-në për shkëmbimin e shpejtë dhe në kohë reale të informacionit dhe nevojën e angazhimit nëpërmjet skuadrave të përbashkëta hetimore.

Rrumbullaku falënderoi qeverinë amerikane dhe agjencitë e saj për asistencën e dhënë për Policinë e Shtetit, duke nënvizuar bashkëpunimin profesional dhe të besueshëm në çështjet e hetimit e goditjes së krimit dhe terrorizmit”, njoftoi Policia e Shtetit përmes një postimi në rrjetet sociale.

Gjatë takimit, Rrumbullaku e njohu delegacionin amerikan edhe me rezultatet e aksionit më të fundit, në bashkëpunim me palën britanike, për goditjen e trafikimit të armëve.