I ftuar në këtë episod të emisionit “Ndryshe” me Salsano Rrapi, Visjan Ukcenaj, Adi Pojana ka qenë aktori i mirënjohur Irgen Çela ose siç njihet ndryshe me emrin artistik Xhoda. Ai shquhet për rolet e tij në shumë filma shqiptarë dhe pjesëmarrjen në disa shfaqje teatrale disa vite më parë. Prej shumë kohësh, ai është gjithashtu edhe pjesë e emisionit më të njohur të humorit në Shqipëri, “Portokalli”.
Përveç arritjes profesionale në këtë fushë, ku jemi të gjithë të bindur se është një nga aktorët më të mirë të këtyre viteve, Irgen ka ndërmarrë kohët e fundit edhe disa ndryshime përsa i përket jetës së tij personale. Ai është fokusuar në spiritualitet dhe është pjesëmarrës në aktivitete që kanë të bëjnë me zhvillimin personal. I pyetur për këtë eksperiencë, aktori u shpreh:
Rezultatet me të thënë të drejtën kanë qenë shumë të mëdha. Tek unë po e po, por edhe tek të tjerët. Unë pata shumë le të themi çlirime emocionale se ne në të përditshmen tonë pa e kuptuar marrim shumë energji nga njëri-tjetri pa e kuptuar. Mirë që marrim energji nga njerëzit që kemi afër dhe i duam, por marrim edhe energji nga njerëz që nuk i duam.
A e ka bërë kjo metodë më të ftohtë atë me njerëzit e tjerë, apo e kundërta?
Jo, më i ftohtë nuk jam bërë. Madje i shijoj gjërat shumë më shumë.
Më tej, ai shtoi:
Shiko, e kupton se zakonisht mërzitemi edhe për budalliqe. Mërzitemi për shumë budalliqe dhe unë për shembull këtë kam kuptuar që s’kam përse të mërzitem për shumë e shumë gjëra që më përpara jam mërzitur. Dhe ky është çlirim i madh.