Jemi mësuar tashmë që të enjteve të shijojmë pasazhe nga libra të ndryshëm në Top Albania Radio. Këtë javë, Anna Shkreli sjell pasazh nga libri i At Zef Pllumit. Vepra “Rrno vetëm për me tregue” erdhi këtë herë në vëmendjen e “Çdo gjë është ashtu si duket“.
“Rrno vetëm për me tregue” është një libër i At Zef Pllumit i botuar në Tiranë në vitin 2001. Titulli në fjalë është vëllimi i tretë i “Rrno vetëm për me tregue”. Vëllimi i parë është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. E gjithë vepra e plotë, e dalë në qarkullim në vitin 2015, është konsideruar “ndërgjegje e kohës”, pasi kleriku i lartë françeskan ka rrëfyer gjithë kalvarin gjatë kohës së komunizimit, në burgje dhe jashtë saj.
“Rrno vetëm për me tregue” është një vepër monumentale, tejet e çmueshme, me vlera shumështresore. Është letërsi dokumentare ku përshkruhet e keqja e shkaktuar nga komunizmi në Shqipëri. Vepra në fjalë, përshkruan jo vetëm vuajtjen e At Zef Pllumit, kalvarin e Kishës Katolike, mundimet e françeskanëve, por edhe të gjithë popullit shqiptar. Gjatë leximit të kësaj vepre, lexuesi mund të bëjë një udhëtim brenda vuajtjes, mashtrimit, torturave çnjerëzore, vrasjeve, varfërisë, të keqes…
Vepra e At Zef Pllumit frymëzon lexuesin për lexime të reja dhe të përsëritura. Ky libër kujtimesh bën thirrje që të vërtetat të mos harrohen, që historia të mos deformohet, por të kuptohet e të shpjegohet. “Rrno vetëm për me tregue” është edhe kontribut në luftën e një populli për demokracinë. At Zef Pllumi ka treguar dhe përshkruar jetën si dëshmi me pamje të ferrit, dëshmi e tij shkrimore e reales. Vetë Ismail Kadare e ka cilësuar këtë vepër me fjalët:
Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.