Aktualitet

Rritje e ndjeshme e blerjeve nga jashtë në 6-mujorin e parë!

Në kulmin e prodhimit bujqësor në muajin qershor, importet e prodhimeve ushqimore u rritën me 18.4%, teksa në të gjithë 6-mujorin e parë 2024, importet e produkteve ushqimore në sasi u rritën me 20%.

Në qershor, nga 23 grupet e importit të ushqimeve, rritje të fortë kanë shënuar grupet me objektiv turizmin.

P.sh. sasitë e peshkut të importuar në qershor 2024 ishin 24% më të larta se në qershorin e vitit 2023. Gjithashtu, produktet e bulmetit shënuan rritje të lartë me 19%. Drithërat kanë shënuar rritje të lartë me 53%. Kuzhina shqiptare ka pjesë të rëndësime gatimet e brumit, të cilat janë të preferuara nga turistët e huaj, sidomos byrekët.

Produktet e ëmbëlsirave gjithashtu kanë shënuar rritje me 138% në qershor, si një nga përbërësit kryesorë të pjatave në restorante. Përgjithësisht ushqimet e përpunuara kanë shënuar rritje me ritme dyshifrore. Në të gjithë 6-mujorin e parë të këtij viti, produktet e ushqimeve në sasi kanë shënuar rritje me 20%.

Shqipëria është një prodhues i madh në rajon i zarzavateve nga serat, por importet në këtë grup shënuan rritje vjetore me 43 % në 6-mujor, ndërsa importet e frutave u rriten me 31%.

Turistët kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e konsumit në vend e në tregtinë me pakicë. Por, përfitimet e ekonomisë shqiptare do të ishin të larta nëse kjo kërkesë do të ishte e plotësuar me prodhim vendas. Nga ana tjetër, eksportet e prodhimeve bujqësore në sasi kanë ardhur në rritje, por prodhimi bujqësor në tërësi është në rënie.

Prodhimi i perimeve është përqendruar në sera me destinacion eksportin, teksa kanë falimentuar ngastrat e vogla që furnizonin më parë tregjet e qyteteve. Plakja e popullsisë në fshat po ul me shpejtësi numrin e bagëtive dhe po lë bahçet djerrë.

Fshatarët, që më parë prodhonin bulmet dhe perime për vetëkonsum, tani janë kthyer në konsumatorë të tregut, duke nxitur rritjen e importeve në produktet të freskëta, perime, bulmet, mish etj./Monitor