Aktualitet

Rritja e trajtimit financiar në FA, nga forcat speciale te infermierët!

Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare në lidhje me rritjen e trajtimit financiar prek në mënyrë të veçantë disa prej strukturave që konsiderohen si “asete kombëtare”, brenda Forcave tona të Armatosura. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se efektivët e Forcave Speciale, ato Komando, zhytësit e FD, punonjësit e skuadrave e kërkim-shpëtimit, specialistët e Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë, Policia Ushtarake e deri te mjekët dhe infermierët që shërbejnë në uniformë do të marrin një shtesë të re mbi pagën, bazuar në vendimin ku theksohet:

Efektivët e Forcave Speciale do të kenë trajtim financiar shtesë që shkon deri në 40 mijë lekë në muaj;  Forcat Komando 30 mijë lekë në muaj. Ndër këto kategori janë edhe efektivët e kërkim-shpëtimit, të cilët do të marrin po ashtu deri në 30 mijë lekë në muaj, shtesë mbi pagën. Ndërkaq, ata të Asgjësimit të Mjeteve Shpërthyese, (Explosive Ordnance Disposal – EOD) do të paguhen deri në 25 mijë lekë shtesë në muaj.

Po kështu, pra sërish deri në shumën e 25 mijë lekëve në muaj, edhe punonjësit e Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë (MADM). Me të njëjtën vlerë do të jetë edhe trajtimi financiar shtesë që pritet të përfitojnë efektivët e Policisë Ushtarake. Një kategori e veçantë përbëhet edhe mjekët e infermierët që shërbejnë në radhët e ushtrisë shqiptare. Teksa për mjekët është përcaktuar që të kenë një trajtim financiar shtesë deri në 25 mijë lekë në muaj, për infermierët ky trajtim në para shkon deri në 18 mijë lekë në muaj, gjithnjë shtesë mbi pagën.

Vlerësohet gjerësisht se përmirësimi i ndjeshëm i trajtimit financiar, jo vetëm që do të rrisë motivimin e efektivëve aktualë, por po ashtu shërben edhe si një nxitje për të gjithë të rinjtë për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, pasi po ofrojnë një karrierë dinjitoze, si dhe të ardhura përherë e më të mira financiare. Ministria e Mbrojtjes e vë theksin te angazhimi i marrë që trajtimi financiar i efektivëve të Forcave të Armatosura të shtohet çdo vit, për t’i përafruar me nivelin mesatar të vendeve të NATO-s ku bën pjesë edhe Shqipëria si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.