E ftuar në “Live from Tirana” ishte gazetarja Zhaklin Lekatari për të folur rreth stinës së verës dhe romancës që ajo sjell. Tre studime të ndryshme në Angli zbulojnë anë unike të romancës në verë, që nga rritja e aktivitetit seksual e deri te tradhtia e shtuar.
Kemi studime që tregojnë se njerëzit gjatë verës kanë më shumë afrimitet në çift dhe kalojnë momente romantike më shumë me njëri-tjetrin se sa në dimër. Po ashtu rritet dhe numri i tradhtive gjatë verës. Çfarë mendon Zhalina për këtë?
Sigurisht që është e vërtetë. Edhe unë e postova para disa ditësh një copëz shkrimi të marrë nga një studim që nuk është bërë vitet e fundit por ka pak më shumë kohë, që tregonte se si nga ana biologjike për shkak të rritjes së aktivitetit hormonal, ne kemi më shumë epsh, më shumë dëshirë. Dhe patjetër kjo do të rezultojë në më shumë marrëdhënie seksuale. Kemi dhe faktin që jemi të zhveshur, temperaturat janë të larta dhe ne kemi pjesë të trupit më të ekspozuara, veshjet janë më të lehta. Kjo rezulton në lehtësim në kontaktin fizik dhe në estetikë, nxitje të epshit nëpërmjet pamjes. Kështu që është një nga arsyet pse ne kryejmë më shumë marrëdhënie seksuale ose kemi nxitje për të kryer marrëdhënie seksuale.