Bota

Rritet vlera e Bitcoinit pas fitores së Donald Trump!

Vlera e Bitcoinit ka shënuar rritje prej 8 për qind pasi investitorët vunë bast se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale do të kishte ndikim ekonomik në treg. Trump, që i fitoi zgjedhjet presidenciale, ishte zotuar ta bënte Amerikën kryeqytet të kriptove. Kandidati i republikanëve edhe gjatë fushatës ka pranuar donacione në kriptovaluta dhe u shoqërua me investitorë të kriptovalutave. AP-ja ka raportuar se kriptovaluta ka arritur një rekord prej 75.345 dollarëve në fillim të tregtimit, derisa më pas ka rënë për 2.000 dollarë.

Republikani Donald Trump do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Demokratja Kamala Harris pësoi disfatë dhe ende nuk ka reaguar. Trump ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral, fitore e thellë kur i mjaftonin vetëm 270. Më herët, Donald Trump iu drejtua mbështetësve nga Florida dhe u zotua se do të punojë për ta “shëruar” Amerikën. Fitorja u konfirmua pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Uiskonsin, Karolinën e Veriut e Xhorxhia. Tregu Dax i aksioneve është rritur me 1.5% pasi Donald Trump u shpall president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Robert Halver, drejtues i analizave të tregjeve në Bankën Baader u shpreh:

Meqë Donald Trump njihet për ekonominë, mund të konsiderohet se vlera e aksioneve në botë do të rritet. Me një përjashtim: Kina sepse ai [Donald Trump] do të vendosë patjetër tarifa ndaj Kinës. Kjo do t’ua vështirësojë jetën kinezëve. Gjëja e mirë është se tregjet europiane të aksioneve do të mund të përfitojnë. Ne ende jemi të mirëpozicionuar në sektorin industrial dhe jemi duke e ndihmuar Amerikën që të bëhet e madhe sërish në sektorin industrial.

Liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor reaguan ndaj fitores nga republikani Donald Trump, në garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris. Edhe pse fitorja e Trump-it ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, nuk ka më dyshime pasi ai ka siguruar 277 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.