Qeveria ka miratuar projektvendimin që përmirëson trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura. Nga ky vendim përfitojnë rreth 6000 ushtarakë.
Rreth 6000 efektivë të Forcave të Armatosura do të përfitojnë trajtim financiar shtesë mbi pagën mujore. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përmirëson ndjeshëm trajtimin financiar të personelit ushtarak, duke synuar forcimin e kapaciteteve kombëtare dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të Mbrojtjes Civile.
Sipas vendimit të qeverisë, 200 ushtarakë të personelit fluturues dhe mbështetës, do të përfitojnë deri në 100.000 lekë mbi pagën mujore.
Për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20.000 lekë në muaj. Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70.000 lekë në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë.
Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si, forcat speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia Cyber, dronët dhe forcat e dedikuara për emergjencat civile.
Ky vendim vjen vetëm 4 muaj pas rritjes së pagave që u bë për kategori të caktuara të Forcave të Armatosura.
Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria theksojnë angazhimin që trajtimi financiar i efektivëve të Forcave të Armatosura të shtohet çdo vit, për t’i përafruar me nivelin mesatar të vendeve të NATO-s.