Bota

Rritet ndjeshëm migracioni i paligjshëm në Gjermani!

Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) publikoi një raport të ri në të cilin thuhet se numri i emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në Gjermani në vitin 2023 është rritur ndjeshëm.

Në raport thuhet se dyshohet që numri i personave të hyrë ilegalisht është 266,224 vetë. Kjo përbën një rritje prej 33.4% në krahasim me vitin 2022. BKA tha se shumica tyre ishte kapur nga policia federale.

Sipas BKA-së Agjencia Evropiane e Kufijve dhe Rojës Bregdetare regjistroi 380,200 kalime të paligjshme përgjatë kufirit të jashtëm të 29 vendeve që bëjnë pjesë në zonën e lëvizjes së lirë Shengen. Ky është numri më i lartë vjetor që nga viti 2016.

BKA-ja tha se vendet kryesore të origjinës të njerëzve që vijnë ilegalisht në Gjermani janë Siria (54,207), Turqia (35,732) dhe Afganistani (35,370). Sipas BKA-së shumë nga këta emigrantë janë ndihmuar nga kontrabandistë dhe trafikantë të qenieve njerëzore.

Ndërkaq, kërcënimi i jashtëm për Gjermaninë është më evident se kurrë. Alarmin e ka ngritur Gjenerali i ushtrisë gjermane, Michael Giss. Në një intervistë për median Die Welt, ushtaraku i lartë gjerman dhe shefi i shtabit të komandës së Hamburgut, theksoi se kërcënimi më i afërt ushtarak për Gjermaninë është pas pesë vitesh dhe vendi agresor pritet të jetë Rusia.

“Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes së Gjermanisë, ne donim mbi të gjitha të shijonim “dividentin e paqes” për 30 vjet dhe dukej se ishim “të rrethuar nga miq”. Në Gjermani, ne jemi ende kilometra larg nga perceptimi i një rreziku të jashtëm këto ditë, krejtësisht ndryshe nga, për shembull, njerëzit në shtetet baltike ose Poloni. Por, ora ime e brendshme si ushtar po funksionon dhe më thotë se pas pesë vitesh do të duhet të jemi mjaft elastikë për t’i bërë ballë një kërcënimi të jashtëm ushtarak”-tha Giss.