Në orët e para të mëngjesit, Hezbollah hodhi mbi 100 raketa drejt një zone më të gjerë e më të thellë të Izraelit verior. Disa prej tyre ranë pranë qytetit Haifa, ndërsa palët duket se po shkojnë drejt një lufte në shkallë të plotë pas muajsh tensionesh të përshkallëzuara. Grupi pro-iranian me bazë në Liban është shpallur “terrorist” nga Amerika.
Nga hedhja e raketave u aktivizuan sirena alarmi në të gjithë veriun e Izraelit, duke detyruar mijëra persona të hynin në vendstrehime. Ushtria izraelite njoftoi se ato u lëshuan “në zona civile”, duke sinjalizuar përshkallëzim të mundshëm pasi më parë, kryesisht përqendroheshin në objektiva ushtarake.
Ekipi i shpëtimit “Magen David Adom” njoftoi se trajtoi katër persona të plagosur, mes tyre një 76-vjeçar nga Kiryat Bialiku, vendbanim pranë Haifës, ku ndërtesat u dëmtuan dhe makinat u dogjën.
Goditja me raketa erdhi pas një sulmi ajror izraelit në Beirut që dy ditë më parë vrau të paktën 37 persona, mes tyre një nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut, si dhe gra e fëmijë. Më herët gjatë javës, anëtarë të grupit militant ranë pre e një sulmi të sofistikuar që shkaktoi shpërthimin e mijëra pajisjeve personale të komunikimit.
Hezbollahu është zotuar të hakmerret ndaj Izraelit për valën e shpërthimeve të martën dhe të mërkurën, duke vrarë të paktën 37 persona, përfshirë dy fëmijë e duke plagosur rreth 3 mijë të tjerë. Ndonëse i akuzuar, shteti hebraik nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar përgjegjësinë.
Ndërkaq, një sulm ajror izraelit më 20 shtator rrëzoi një ndërtesë tetëkatëshe në një lagje të populluar të kryeqytetit libanez Bejrut, në periferinë e jugut. Kjo ndodhi në kohën kur atje po zhvillohej mbledhja e disa anëtarëve të Hezbollahut në një bodrum. Mes të vrarëve ishte edhe Ibrahim Akil, një zyrtar i lartë i Hezbollahut, i cili komandonte njësinë speciale të grupit të njohur si Forca Radwan.
Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se sulmi prishi zinxhirin e komandës së grupit duke eliminuar Akilin, të cilin e fajësoi për vrasjen e izraelitëve.
Ministri libanez i Shëndetësisë, Firass Abiad iu tha gazetarëve se të paktën shtatë gra dhe tre fëmijë u vranë në sulmin ajror të së premtes. Ai deklaroi se 68 persona të tjerë u plagosën, përfshirë 15 që u shtruan në spital.