Health & Beauty Lifestyle

Rriten rastet e infeksioneve nga zgjebja në Shqipëri, dermatologët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar!

Rastet e infeksioneve nga zgjebja janë rritur ndjeshëm në vendin tonë, sipas dermatologes Violeta Dajçi. Ajo theksoi se nuk kalon ditë pa u hasur me pacientë të infektuar nga ky parazit, i cili përhapet shpejt përmes kontaktit të drejtpërdrejtë, si përqafimet dhe shtrëngimet e duarve.

Dajçi theksoi se mutacioni i ri i zgjebes prek jo vetëm ata me higjienë të dobët, por edhe individë që mbajnë një nivel të lartë higjiene.

Nuk ka moshë apo seks të përzgjedhur; tani ndodh që në të njëjtën familje, disa persona të jenë të infektuar ndërsa të tjerë jo

Dermatologja paralajmëroi se ky variant i ri është më i vështirë për t’u trajtuar se më parë, dhe mjekimi familjar nuk funksionon gjithmonë. Rastet më të shpeshta po vijnë nga jashtë, kryesisht nga Anglia, Spanja dhe Italia.

Një nga simptomat kryesore të zgjebes është kruarja, e cila intensifikohet natën. Dajçi apelon që individët që vërejnë këto shenja të konsultohen me një dermatolog dhe të mbajnë një nivel të lartë higjiene.

Ajo gjithashtu theksoi se ndërrimi i shpeshtë i rrobave dhe ekspozimi në diell janë disa nga mënyrat për të ndihmuar në trajtimin e kësaj sëmundjeje. Ndërsa zgjebja nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin, ajo mund të shkaktojë psikoza të rëndësishme dhe mund të kthehet në një gjendje kronike.