Aktualitet

Rriten me 30% gjobat për ndotjen mjedisore, menjëherë të ekzekutueshme!

Qeveria shqiptare miratoi ndryshimet në katër ligje në fushën e mjedisit, konkretisht në ligjin “Për mbrojtjen e ajrit në mjedis”, në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”, në ligjin “Për mbrojtjen e biodiversitetit” dhe në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro:

Në radhë të parë do t’i referohem rezultateve të Këshillimit Kombëtar përpara një viti e gjysmë ku pyetjes: A duhet të forcohen masat ndëshkuese për ndotjet në mjedis, krimet mjedisore, mosrespektimin e aspekteve të ndryshme të mjedisit, qoftë kur bëhet fjalë për cilësinë e ajrit, për ndotjen e natyrës, qoftë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi”, pjesëmarrësit në këtë anketim iu përgjigjën me mbi 70% që po, duhet një përforcim i masave ndëshkuese”.

Kjo bëri që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të rishikonte të gjithë paketën ligjore, ku parashikohen prej vitesh masa administrative për kundërvajtësit, por edhe në respekt të parimit, ndotësi paguan.

Por gjobat bëheshin vështirësisht të ekzekutueshme për shkak të periudhave shumë të gjata të ankimimit edhe pranë organeve gjyqësore, duke humbur kështu efikasitetin e tyre në atë që është më e rëndësishmja, mbrojtja e mjedisit.

Me shtimin e flukseve turistike përtej pritshmërive, 10.1 milion vitin e kaluar, këtë vit presim 30-40%  më shumë, kuptohet që krahas gjithë punës dhe masave që ka marrë qeveria shqiptare, por edhe pushtetit vendor për mirëmbajtjen e mjedisit, për menaxhimin e mbetjeve, gjobat me të cilat duhet të shoqërohet ky proces janë jo thjesht proces penalizimi, ndëshkimi, por edhe masë edukimi.

Ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se “të gjitha masat ndëshkimore të parashikuara në këto katër ligje rriten me 30%, por ato kthehen në titull ekzekutiv, për të ruajtur efektin e tyre ndëshkues, korrektues e po ashtu edukues”.

Në fund të fjalës së saj, ministrja vuri në dukje se që nga individët e thjeshtë që ndosin natyrën e deri tek kompanitë e mëdha industriale janë të detyruar të investojnë në masat e duhura për të mbrojtur mjedisin dhe cilësinë e ajrit.

Sipas ministres së Turizmit dhe Mjedisit, përveç detyrimit ndaj qytetarëve shqiptarë, këto masa shkojnë paralel me ambiciet për integrimin europian, si dhe vizionin e Shqipërisë turistike.