Bota

Rrëzohet në Gjermani meteoriti i rrallë 4,5 miliardë vjeçar!

Meteoriti që u rrëzua në Tokë afër Berlinit në janar është rreth 4,5 miliardë vite i vjetër dhe i përket klasës së rrallë të aubritëve, shkruajnë shkencëtarët në një artikull të botuar në revistën “Meteoritics & Planetary Science”.

Asteroidi i vogël 2024 BX1 u dogj më 21 janar pranë Berlinit, në një shfaqje spektakolare qiellore. Disa copëza ranë përtokë në rajonin Havelland të landit të Brandenburgut që rrethon kryeqytetin gjerman dhe shumë prej të cilave u mblodhën nga shkencëtarët dhe koleksionistët.

Rreth 202 copëza që peshojnë gjithsej 1,8 kilogramë u gjetën në një fushë të shpërndarë pranë fshatrave të Brandenburgut Ribbeck, Berge dhe Lietzow, të shpërndara në një sipërfaqe prej 1,5 me 10 kilometra. Shkencëtarët e quajtën meteoritin Ribbeck sipas vendit ku u gjet.

Studimi i udhëhequr nga Instituti i Planetologjisë në Universitetin e Munster-it zbuloi se Ribbeck i përket klasës jashtëzakonisht të rrallë të aubriteve që janë të pasura me magnez dhe silikon.

Ribbeck mban një status të veçantë brenda kësaj klase të rrallë pasi shkëmbi përmban një përqindje jashtëzakonisht të lartë të feldspatëve, një mineral që i përket grupit silikat”, zbuluan shkencëtarët.

Grupi hulumtues supozon se trupi mëmë i Ribbeck është rreth 4,5 miliardë vjet i vjetër dhe e ka origjinën nga brezi asteroid midis Marsit dhe Jupiterit.

Shkencëtarët shpjeguan gjithashtu se pse copëzat e tij kishin një aromë intensive të sulfurit të hidrogjenit, një erë e ngjashme me atë të vezëve të prishura. Reaksionet kimike midis fazave minerale dhe lagështisë, të cilat rezultojnë nga bora dhe shkrirja, shkaktojnë aromën duke ndryshuar mineralogjinë e shkëmbit.