Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël është rrëzuar të shtunën teksa po ateronte në shtetin verior të Amazonës të Brazilit mes reshjeve të dendura.
“Shpreh keqardhje për vdekjen e 12 pasagjerëve dhe dy anëtarëve të ekuipazhit, viktima të rrëzimit të avionit që ndodhi këtë të shtunë në Barcelos”, tha guvernatori i shtetit Wilson Lima në platformën “X”.
Lima shtoi më tej se ekipet kanë punuar “që nga fillimi për të ofruar mbështetjen e nevojshme”.
Sipas mediave lokale, një avion i vogël që transportonte turistë vendas u ngrit të shtunën nga kryeqyteti i shtetit të Amazonës, Manaus, dhe po përpiqej të zbriste në shi të dendur kur u rrëzua në Barcelos, afërsisht 400 kilometra nga Manaus.
Pasagjerët ishin rrugës për në Barcelos për një udhëtim peshkimi.