Bota

Rrëzimi i dënimit të Harvey Weinstein-it, hap kapitull të dhimbshëm në Amerikë!

Pritet një proces i ri gjyqësor pasi gjykata më e lartë e Nju Jorkut vendosi të përmbyste dënimin e 2020-ës ndaj Harvey Weinstein-it, duke dalë në përfundimin se gjykatësi i çështjes e paragjykoi manjatin e dikurshëm të kinematografisë hollivudiane duke dhënë vendime “ekstremisht të padrejta”, përfshirë vendimin që lejoi dhënien e dëshmive të grave mbi akuza që nuk ishin përfshirë te çështja në ngarkim të tij.

Ishin akuzat për ngacmime dhe sulme seksuale nga Weinstein që në mediat sociale nxitën fushatën #MeToo (Edhe unë).

Ne arrijmë në përfundimin se gjykata në mënyrë të padrejtë përfshiu dëshmitë për akte të mëhershme seksuale ndaj personave të tjerë që nuk ishin pjesë e dosjes së gjykimit”, thuhet në vendimin 4-3 të Apelit. Zgjidhja për këto gabime të rënda është një proces i ri gjyqësor.

Vendimi i Gjykatës së Apelit rihap një kapitull të dhimbshëm në Shtetet e Bashkuara për ngacmimet dhe sulmet seksuale nga figura të fuqishme, një kapitull që filloi në vitin 2017 me lumin e akuzave kundër Harvey Weinstein-it. Gratë që i ngritën mund të detyrohen të rijetojnë traumat e tyre në cilësinë e dëshmitarit.

Shumica e trupit gjykues tha se “është një abuzim me detyrën e gjyqtarit të lejohen pretendime të paprovuara për asgjë më shumë se sa sjellje të keqe që shkatërrojnë dinjitetin e një të pandehuri, por pa hedhur dritë mbi besueshmërinë e tyre”.

Gjyqtarja Madeline Singas, e cila nuk u pajtua me vendimin tha se Gjykata e Apelit po vazhdonte një “prirje shqetësuese të përmbysjes së vendimeve për raste që përfshijnë dhunë seksuale”.

Vendosmëria e shumicës përjetëson nocionet e vjetruara të dhunës seksuale dhe i lejon personat që sulmojnë seksualisht që t’i shpëtojnë përgjegjësisë.

72 vjeçari po vuan dënimin me 23 vjet heqje lirie në një burg në Nju Jork pasi u dënua se kishte detyruar me forcë një asistente televizive të kryente seks oral në vitin 2006, si edhe përdhunim në vitin 2013 të një gruaje që synonte të behej një aktore.

Ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg pasi u dënua me 16 vjet burg nga një Gjykatë në Los Anxhelos në vitin 2022 për një tjetër përdhunim.

Akuzat ndaj Weinstein-it, dikur emër i njohur dhe i fuqishëm në botën e kinematografisë përfshirë prodhime që janë vlerësuar me Oscar si “Pulp Fiction” e “Shakespeare in Love”, nxitën lëvizjën #MeToo.

Dhjetra gra ngritën akuza ndaj tij përshirë aktore të njohura si Ashley Judd dhe Uma Thurman. Weinstein është i burgosur në burgun Mohawk në Nju Jork. Ai thotë se është i pafajshëm dhe se çdo akt seksual është bërë me pëlqim.