Aktualitet

Rrezikuan pushuesit, bllokohen 3 mjete lundruese në Vlorë!

Policia e Vlorës njofton bllokimin e tre mjeteve lundruese, të cilat shkelën perimetrin e sigurisë. Po ashtu, burime pranë saj bëjnë të ditur se gjatë monitorimit të hapësirës detare në të gjithë qarkun, u bllokua edhe një mjet lundrues skaf që ushtronte aktivitetin pa licencë.

Si rezultat i monitorimeve të pandërprera, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së pushuesve, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me patrullat tokësore, bllokuan 3 mjete lundruese (2 Jet Ski dhe 1 skaf), pasi drejtuesit e tyre shkelën perimetrin e sigurisë ujore në plazhin e Qeparosë dhe të Karaburunit, duke vënë në rrezik jetët e pushuesve. Secili nga drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkua me masë administrative prej 100,000 lekësh të rinj.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ndërhynë menjëherë në plazhin e Borshit, duke bllokuar një tjetër mjet lundrues skaf, pasi përdorej për të ushtruar aktivitetin pa licencë. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masë administrative prej 110,000 lekësh të rinj.

Në javën që lamë pas, Policia Kufitare bllokoi 27 mjete lundruese nga Ksamili, në Velipojë.

27 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili, në Vlorë. 10 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin. 4 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë. 13 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.

Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 000 lekë. Drejtuesit e 27 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10 000 lekë për mungesë dokumentacioni.

Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë javës që lamë pas, iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve, në 12 raste që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, të zbatojnë me rigorozitet rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.

Njëkohësisht Policia Kufitare fton pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare, apo të masave të sigurisë gjatë udhëtimeve turistike në zonat bregdetare liqenore dhe lumore, duke u garantuar reagim të menjëhershëm.