Shumë faktorë mund të kontribuojnë në rritjen e rrezikut të kancerit, përfshirë ushqimet, ekspozimin ndaj rrezeve të diellit dhe plakjen.
Së fundmi, kërkimet kanë zbuluar se nivelet e hekurit në trup mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e disa llojeve të kancerit, si ai i zorrës së trashë dhe mushkërive.
Një studim i vitit 2022 tregon se sasia e tepërt e hekurit mund të nxisë rritjen e tumorëve, duke rritur rrezikun e kancerit të mushkërive dhe zorrës së trashë. Sipas ekspertëve, hekuri në nivele të larta mund të shkaktojë stres oksidativ dhe dëmtim të ADN-së, lipideve dhe proteinave, duke kontribuar në zhvillimin e kancerit.
Nga ana tjetër, një mungesë e hekurit mund të dobësojë sistemin imunitar dhe të pengojë aftësinë e trupit për të luftuar qelizat e kancerit. Hekuri është thelbësor për funksionimin e sistemit imunitar, prandaj një nivel i ulët i tij mund të ndikoje negativisht në shëndetin e përgjithshëm.
Një tjetër faktor që ndikon në nevojat për hekur është mosha, gjinia dhe faza e ciklit menstrual. Sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit të SHBA-së, për burra të moshës 19-50 vjeç, doza e rekomanduar është 8 miligramë në ditë, ndërsa për gratë në të njëjtën grupmoshë, ajo është 18 miligramë. Për gratë shtatzëna, doza mund të arrijë deri në 27 miligramë në ditë.
Ushqimet të cilat janë burime të pasura me hekur përfshijnë karkaleca, brokoli, vezë, pulë, produkte gruri, rrush të thatë dhe shqeme.
Ekspertët këshillojnë që individët të konsultohen me mjekët përpara se të marrin suplemente hekuri dhe të sigurohen që të marrin sasinë e duhur për të ruajtur shëndetin dhe për të minimizuar rreziqet e mundshme.