Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën janar-shtator 2024, arritën në shumën 460 miliardë lekë, ose 99.8% të planit. Ministria e Financave bën të ditur se, krahasuar me 9-mujorin e vitit 2023, janë mbledhur 41.6 miliardë lekë ose 10% më shumë.
Sipas MF-së, të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionalet), për 9-mujorin 2024 u realizuan në masën 170.6 miliardë lekë, 18 miliardë lekë ose 11.8% më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar.
Krahasuar me planin 9-mujor, të ardhurat e mbledhura janë 325 milionë lekë ose 0.2 % më shumë.
Konkretisht të ndarë sipas treguesve, të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizua në masën 43 miliardë lekë, 7 miliardë lekë ose 20% më shumë se 9-mujori 2023, si dhe 285 milionë lekë ose 0.7% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 9-mujorin 2024.
Rimbursimet për periudhën 9-mujore 2024 janë 19.1 miliardë lekë, 4.5 miliardë lekë ose 31% më shumë se 9-mujori 2023, si dhe 1.1 miliardë lekë ose 6.3% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 9-mujorin 2024.
Ndërsa të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 43.4 miliardë lekë ose me realizim në masën 99.3 % e planit të 9-mujorit të vitit 2024 për Tatimin mbi Fitimin.
Ministria e Financave bën të ditur se tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 49.8miliardë lekë, 6 miliardë lekë ose 13.7% më shumë se 9-mujori 2023, si dhe 236 milionë lekë ose 0.5% më shumë se plani i 9-mujorit 2024.