Në prag të 1-vjetorit të masakrës së Hamasit në Izrael me rreth 1 mijë e 200 të vrarë e 250 të rrëmbyer dhe që çoi në luftën e përgjakshme në Gaza, mijëra izraelitë, sërish dolën në rrugë për të kërkuar lirimin e pengjeve të mbetur. Por, tubimet e mbrëmshme nuk ishin aq të mëdha sa janë shpesh. Kjo për shkak të kufizimeve për protesta në shumë vende, duke pasur parasysh situatën e sigurisë në vend.
Sipas mediave izraelite, rreth 2 mijë demonstrues morën pjesë në manifestimin në metropolin bregdetar të Tel Avivit, çka shënon numrin maksimal të lejuar aktualisht në Izraelin qendror. Protesta në mbështetje të një marrëveshjeje që parashikon edhe një armëpushim në luftën e Gazës u mbajtën edhe në shumë zona të tjera në vend.
Një vit më vonë dhe ata ende nuk janë këtu, shkruhej në një pankartë në tubimin në Tel Aviv.
Të afërmit e pengjeve akuzojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu për sabotim të një marrëveshjeje me Hamasin dhe përkulje ndaj kërkesave të partnerëve të tij ultrafetarë e të koalicionit të ekstremit të djathtë. Ata janë kundër lëshimeve ndaj organizatës islamike palestineze e Netanyahu varet prej tyre për mbijetesën e tij politike. Për më tepër, shumë protestues kanë frikë se fati i pengjeve do të harrohet përballë luftimeve në Liban.
Një ditë më parë, Izraeli zgjeroi bombardimet në Liban duke goditur periferitë në jug të kryeqytetit Bejrut përmes 12 sulmeve ajrore dhe duke bombarduar një kamp të refugjatëve palestinezë në veri të territorit libanez.
Hera e parë që Izraeli sulmoi veriun e Libanit. Në kampin Bedavi, në afërsi të Tripolit në veri, ky sulm la të vrarë një komandant të Hamasit, si dhe gruan e dy vajzat e tij. Tripoli gjendet në veri dhe është shumë larg nga shumica e sulmeve të kryera nga Izraeli e që kryesisht janë përqendruar në jug të Libanit e në kryeqytetin Bejrut. Në shënjestër mbeten Hezbollahu e Hamasi, dy grupet militante pro-iraniane që luftojnë me Izraelin.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri thirrje që të ndalohen dërgesat e armëve për Izraelin.
Mendoj se sot, prioriteti është që ne të kthehemi te një zgjidhje politike, që ne të ndalojmë dërgimin e armëve për luftën në Gazë. Franca nuk po dërgon armë.