Bota

Rregulla ta reja për përdorimin e armëve bërthamore në Rusi!

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi se një sulm konvencional kundër Rusisë nga ndonjë vend që mbështetet nga një fuqi bërthamore do të cilësohet si sulm i përbashkët. Putin foli teksa prezantoi ndryshimet në doktrinën bërthamore të Moskës gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë. Doktrina aktuale thotë:

Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse armiku kryen sulm bërthamore ndaj saj ose nëse përballet me sulm konvencional i cili rrezikon ekzistencën e shtetit.

Versioni i ndryshuar i dokumentit thekson se “Rusia mund të përdorë armë bërthamore si përgjigje ndaj një sulmi konvencional i cili përbën “rrezik kritik për sovranitetin e vendit”.

Propozohet që agresioni kundër Rusisë nga një shtet pa armë bërthamore, por me mbështetjen apo pjesëmarrjen e një fuqie bërthamore, të cilësohet si sulm i përbashkët i tyre ndaj Federatës Ruse. Kushtet për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia janë gjithashtu të caktuara shumë qartë. Moska do ta ketë parasysh një sulm të tillë, nëse merr informata të besueshme për fillimin e një sulm të madh përgjatë kufirit nga ajri, me raketa lundruese, dronë dhe armë hipersonike.

Putini shtoi se lista e shteteve dhe aleancave ushtarake që i nënshtrohen parandalimit të përdorimit të armëve bërthamore duhet të zgjerohet, por nuk përmendi cilat vende do të shtoheshin.

Një zyrtar i lartë i qeverisë ukrainase i dënoi ndryshimet në doktrinën ruse duke thënë se dëshmojnë se Moskës nuk i ka mbetur gjë tjetër përveç shantazhit bërthamor për të frikësuar botën. Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidentit ukrainas reagoi në Telegram:

Rusia nuk ka më asnjë instrument për ta frikësuar botën përveç shantazhit bërthamor. Këto instrumente nuk do të funksionojnë.

Që kur Putin dërgoi trupat ruse në Ukrainë në vitin 2022, ai dhe të tjerët në Kremlin e kanë kërcënuar Perëndimin me arsenalin bërthamor të Rusisë, për të mos e lejuar ta rrisë mbështetjen për Kievin.

Ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë u bënë në një kohë kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po kërkon leje nga aleatët e tij në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për t’i përdorur armët me rreze të gjatë veprimi për të goditur thellë brenda tokës ruse.

Putin ka paralajmëruar në të kaluarën se përdorimi i armëve të tilla nga Kievi do ta zhyste NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.