Aktualitet

Rrebeshe shiu dhe stuhi, parashikimi i motit për sot!

Këtë të premte, vendi ynë do të jetë në ndikim të kalimit të nje sistemi frontal. Moti parashikohet të jetë kryesisht i vranët.

Duke filluar që nga orët e para të 24-orëshit, reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në veriperëndim të vendit. Gradualisht reshjet e shiut priten të fitojnë intensitet mesatar deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive kryesisht në veriperëndim të vendit.

Prej orëve të mesditës dhe deri në orët e mbrëmjes reshje shiu me intensitet mesatar dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike. Në orët e vona të mbrëmjes, në pjesën më të madhe të vendit, intensiteti i reshjeve bie duke mbetur prezente të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar.

Ndërsa në juglindje kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes reshjet e shiut priten të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era pritet të jetë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 4-12 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave era tepër intensive e problematike me shpejtësi 14-25 m/sek. Valëzimi në dete i forcës 5-7 ballë.

Temperaturat parashikohen në zonat malore 13 deri 20°C, në zonat e ulëta 16 deri 24°C dhe në zonat bregdetare 19 deri 23°C.