Bota

Roli i Trump-it në trazirat e 6 janarit, hetime nga prokurorë amerikanë!

Departamenti Amerikan i Drejtësisë po heton përfshirjen e mundshme të ish-presidentit Donald Trump, në përmbysjen e rezultatit zgjedhor më 2020-ën. E përditshmja “Washington Post” raporton se prokurorët federalë pyetën dëshmitarët për veprimet e Trump-it, por deri tani, nuk ka një vendim për ta akuzuar.

Më 6 janar 2021, disa protestues hynë në ndërtesën e Kongresit Amerikan, në përpjekje për të përmbysur humbjen e Trumpit në zgjedhjet presidenciale. Ish-presidenti i lavdëroi publikisht, por mohon çdo përfshirje.

Hetimet e prokurorëve janë të ndara nga procesi që po zhvillohet në Kongres për të njëjtën çështje. Seancat në Kongres, Trump i konsideron “gjueti shtrigash”.

Lidhur me trazirat e 6 janarit, raportohet se dëshmitarët u pyetën mbi udhëzimet e dhëna nga Trump-i, në lidhje me ndonjë përpjekje për të parandaluar certifikimin e fitores së presidentit aktual, Joe Biden në zgjedhje.

Disa prej zyrtarëve të marrë në pyetje ishin anëtarë të lartë të stafit të ish-zv.presidentit Mike Pence. Departamenti i Drejtësisë refuzon të tregojë nëse do ta akuzojë Trumpin për ndonjë rol të supozuar në përmbysjen e rezultatit të Presidencialeve 2020.

Çdo vendim i prokurorëve federalë për të ngritur akuza penale kundër ish-presidentit e me gjasa, kandidatit për president në zgjedhjet e vitit 2024 do të kishte pasoja të mëdha kushtetuese e politike.

Ndërkohë, Komiteti i Kongresit, i përbërë nga pesë demokratë e dy republikanë, javën e kaluar u dërgoi ftesa dhjetëra dëshmitarëve për të faktuar se Trump bëri përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, veprime që kulmuan me trazira.

Një prej dëshmive më të forta u dha nga Cassidy Hutchinson, ish-ndihmëse e ish-shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows. Donald Trump e dinte se anëtarët e turmës së mbledhur mëngjesin e 6 janarit para Shtëpisë së Bardhë ishin të armatosur, sepse ata u larguan nga zyrtarë të shërbimit sekret.

Ndërkohë citoi Trump-in:

Nuk më intereson që ata kanë armë. Ata nuk janë këtu për të më lënduar mua. Lejoni njerëzit brenda. Nga këtu, mund të marshojnë për në Kongres.

Paneli i senatorëve sugjeron se mund të ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme për të hedhur akuza penale kundër Trump-it, ndonëse ai nuk ka autoritetet për diçka të tillë.