Sport

Rodri, fitues i “Topit të Artë 2024”!

Mesfushori i Manchester City-t dhe Spanjës, Rodri ka fituar Topin e Artë për meshkuj, siç njoftoi “France Football”. Këtë vit, 28-vjeçari ndihmoi Spanjën të fitonte Kampionatin Evropian dhe ngriti trofeun e Premier League-ës për të katërtin sezon radhazi me City-n. Ai u ndihmua të ngjitej në skenë pasi mbërriti me paterica, i përjashtuar për pjesën tjetër të sezonit për shkak të një dëmtimi në gju.

Organizatorja e ceremonisë së “Topit të Artë”, “France Football” bëri të ditur se nuk e ka kuptuar vendimin e Real Madridit për të anuluar udhëtimin në Paris, ku u mbajt mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve.

Pozicioni i Real Madridit është i pakuptueshëm, shkruan gazeta “France Football”.

Kujtojmë që klubi i Los Blancos-it kishte planifikuar udhëtimin për në Paris dje rreth orës 15.00, por që u anulua, pasi Reali ka marrë informacione se Vinicius nuk do jetë fituesi i trofeut prestigjioz individual. Kjo ndodhi kur në Madrid shkoi lajmi se Vinicius nuk ishte më i votuari nga trajnerët e kombëtareve, kapitenët dhe gazetarët nga mbarë bota, çka bëri që klubi i Real Madridit të merrte vendimin për të bojkotuar ceremoninë duke anuluar fluturimin për në Francë dhe akuzuar organizatorët, teksa prisnin që sulmuesi i tyre Vinicius të ngrinte trofeun.

“Trajneri i vitit”, Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti është zgjedhur si trajneri më i mirë i vitit. Italiani fitoi La Ligën me Real Madrid-in, por edhe Champions League.

“Trajnerja e vitit”, Emma Hayes

Emma Hayes, zgjidhet trajnerja më e mirë e vitit në futbollin e femrave. Timonierja amerikane e Chelsea-it, siguroi çmimin e veçantë.

“Portieri i vitit’’, Emiliano Martinez

Emiliano Martinez është zgjedhur si portieri më i mirë i vitit për të dytën herë radhazi. Gardiani argjentinas fitoi Trofeun “Yashin”. Portieri i Aston Villa-s e Argjentinës ishte vendimtar për Kombëtaren e tij në Kupën e Amerikës, por edhe në Premier League.

Kane dhe Mbappe fitojnë Trofeun “Gerd Muller”

Harry Kane dhe Kylian Mbappe janë fituesit e Trofeut “Gerd Muller”-it. Ky  trofe shkon për dy sulmuesit më të mirë të vitit. Të dy lojtarët kishin një vit shumë të suksesshëm, sa i përket golave të shënuar, pasi tundën rrjetën plot 52 herë secili.

“Talenti i vitit”, Lamine Yamal

Lamine Yamal (17 vjeç) është zgjedhur “Talenti i vitit”. Nuk kishte dyshime për këtë, duke parë sukseset e arritura nga ylli i Barcelonës.