Bota Tech

Rivalitet aplikacionesh, Twitter i shpall “luftë” Threads-it!

Kompania pas rrjetit social Twitter po shqyrton mundësinë për veprim ligjor kundër Meta-s, tani që zyrtarizoi Threads-in. Nga Meta, aplikacioni rival u vlerësua si alternativë “miqësore” ndaj Twitter-it. Në pak orë, mbi 30 milion persona u regjistruan në Threads. Twitter-i, në pronësi të Elon Musk-ut, thotë se “konkurrenca është në rregull, por mashtrimi jo”. Por, përmes një letre, Meta hedh poshtë pretendimet se ish-shefi i stafit të Twitter-it ndihmoi në krijimin e Threads-it.

Edhe nga pamja e jashtme, Threads është i ngjashëm me Twitter-in, si dhe ka veçori të njëjta me aplikacionin në pronësi të Musk-ut. Twitter planifikon të zbatojë rreptësisht të drejtat intelektuale e nga Meta kërkon që menjëherë të ndërmarrë hapa e të ndalojë së përdoruri sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacionet e tjera jashtëzakonisht konfidenciale.

Një ditë më parë, avokati i Twitter-it, Alex Spiro, i dërgoi një letër shefit të Meta-s, Mark Zuckerberg, duke e akuzuar për “keqpërdorim sistematik, të qëllimshëm dhe të paligjshëm të sekretareve tregtare të Twitter-it e pronës intelektuale të Twitter-it, për të krijuar Threads-in”.

Spiro pretendon se Meta ka punësuar dhjetëra ish-punonjës të Twitter-it, të cilët “patën vazhduar që të kishin akses në sekretet tregtare të Twitter-it dhe në të tjera informacione konfidenciale” që ndihmuan Meta-n të krijonte aplikacionin Threads.

Në Threads, zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, postoi një deklaratë ku thuhej se “askush në ekipin e inxhinierëve në Threads nuk është ish-punonjës i Twitter-it”.

Si Musk, ashtu edhe Zuckerberg nuk e fshehin faktin se kanë një rivalitet sa i përket Threads-it, aplikacion që është i lidhur me Instagram-in, por po ashtu funksionon edhe si aplikacion më vete.