Aktualitet

Ritenderohet ndërtimi i stacioneve të trenit për Tiranë-Durrës, ofertat brenda 9 korrikut!

Hekurudhat Shqiptare (HSH) që është autoriteti kontraktor për projektin e rehabilitimit të linjës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e zgjatimit në Rinas njoftoi se ka ritenderuar procedurën që lidhet me ndërtimin e stacioneve të trenit. Njoftimi u bë në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ku tenderi klasifikohet me një fazë dhe kompanitë e interesuara do të kenë mundësi të dorëzojnë një ofertë deri më 9 korrik 2024. Procedura e përshkruar “Punime” specifikon :Ndërtimi i Stacioneve Hekurudhore në Seksionin Tiranë – Durrës, tetë stacione (ritenderimi).

Punimet për stacionet janë një zë i ndarë nga ndërtimi i hekurudhës ku punimet kanë nisur në nëntor 2021 kur nisi edhe zhvendosja e shinave të vjetra. Kompania që po zbaton këtë projekt është INC spa, e cila u shpall fituese në vitin 2020, me një ofertë 69.7 milionë euro. Në një inspektim të fundit të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u bë e ditur se kanë përfunduar afro 70% e punimeve fizike, si dhe 90% e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti. Gjatë këtij inspektimi administratori i Hekurudha Shqiptare Ergys Verdho bëri të ditur se punimet përfundojnë në mars 2025.

Linja e rikonstruktuar e Tiranë-Durrës do të kalojë mbi linjën e vjetër ndërkohë që shtesë do të jetë pjesa e Tiranë-Rinas, linjë hekurudhore totalisht e re. Sa i takon stacioneve nga Hekurudha Shqiptare është konfirmuar më herët se stacionet ekzistuese do të vijojnë të mbeten në të njëjtat vendndodhje, ndërsa stacionet e reja do të jenë në aksin e ri nga Domje në Aeroportin e Rinasit.

“Stacionet janë si më poshtë: Durrës – Shkozet – Sukth – Vorë – Kashar (rikonstruksion total i stacioneve ekzistuese), Universiteti Epoka/Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë (tërësisht të rinj) dhe zona pranë Spitalit Hygeia është stacioni i fundit i projektit në zbatim e sipër.

Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë (PTT) deri te Bulevardi i Ri. Konkretisht, në zonën e Spitalit Ushtarak dhe në Bulevardin e Ri. Po mendohet të shtohet edhe një stacion i 11-të në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” – Bulevardi i Ri” do të konfirmonte në një intervistë për “Monitor” ish -administatori Gentian Liko në një intervistë të posaçme.