Rishi Sunak po konsiderohet kandidati favorit për t’u bërë kryeministri i ri i Britanisë, pasi dje Boris Johnson u tërhoq nga gara brenda partisë. Zgjedhja e kryeministrit të ri nga deputetët e Partisë Konservatore mund të bëhet sot. Ish-kryeministri Johnson, tha se po tërhiqej pavarësisht mbështetjes së mjaftueshme për të vazhduar garën. Sipas tij, “në këtë kohë, Partia Konservatore dhe shteti kanë nevojë për unitet”.
Fundjavën e kaluar, ai ndërpreu pushimet në Karaibe, në përpjekjen për të siguruar mbështetjen e 100 ligjvënësve, që të hynte në garë për të zëvendësuar Liz Trussin. Ishte Truss e cila pasoi Johnsonin në postin e kryeministrit kur dha dorëheqje për shkak të një sërë skandalesh etike.
Boris Johnson siguroi mbështetjen e 102 ligjvënësve, por dështoi të bindte Sunakun, si edhe kandidaten tjetër, Penny Mordaunt, që të bashkoheshin “për interesin kombëtar”.
Besoj se mund të ofroj shumë, por jam i frikësuar se thjesht nuk është koha e duhur.
Tërheqja i hap rrugën drejt fitores kundërshtarit të tij, ish-ministrit të Financave, Rishi Sunak. Nëse konfirmohet, 42-vjeçari do të zëvendësojë Trussin, e cila u detyrua të jepte dorëheqje pasi prezantoi një program ekonomik që shkaktoi trazira në tregjet financiare. Dorëheqjen e dha më 20 tetor, 45 ditë pasi u zgjodh në postin e kryeministres.
Ndërkohë, më 31 tetor, ministri i ri i Financave, Jeremy Hunt, pritet të shpalosë gjendjen financiare të shtetit përmes planit buxhetor. Sunak u bë i njohur për publikun britanik kur ishte 39-vjeç, pasi Johnson e emëroi ministër të Financave, në kohën kur Britania regjistroi rastet e para me koronavirus. Dje në një deklaratë, u shpreh:
Kam shërbyer si kancelari juaj, duke ndihmuar të drejtojmë ekonominë tonë në kohërat më të vështira. Sfidat me të cilat po përballemi janë edhe më të mëdha. Por, nëse bëjmë zgjedhjen e duhur, mundësitë janë fenomenale.
Nëse zgjidhet, Sunak do të bëhet kryeministri i parë britanik me prejardhje indiane, pasi familja e tij emigroi në Britani në vitet ‘60.