Tech

Rinis puna për ndërtimin e kullës më të lartë në botë!

Pas shumë vonesash ka rinisur puna për ndërtimin e Kullës “Jeddah” në Arabinë Saudite, e cila kur të përfundojë, do të jetë ndërtesa më e lartë në botë me mbi 1000 metra lartësi. Fillimisht e quajtur Kingdom Tower, projekti filloi në vitin 2013, por hasi në vështirësi të konsiderueshme, duke përfshirë arrestimin e kontraktorit kryesor gjatë një operacioni kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, por edhe pandeminë e COVID-19. Aktualisht, rreth një e treta e strukturës së kullës është përfunduar dhe janë ndërtuar 63 nga 157 kate që janë parashikuar.

Ndërtimi është pjesë e një projekti më të gjerë zhvillimi ekonomik prej 20 miliardë dollarësh pranë Detit të Kuq, i cili synon diversifikimin e ekonomisë së Arabisë Saudite në kuadër të iniciativës “Vision 2030” të ndërmarrë nga Princi i Kurorës Mohammad bin Salman. Kulla do të kalojë në lartësi Burj Khalifa-n në Dubai dhe do të ketë observatorin më të madh publik në botë.

Ajo është projektuar nga “Adrian Smith & Gordon Gill Architecture”, me një formë unike tre-petalëshe që rrit hapësirën e banueshme. Një marrëveshje e re është nënshkruar me Saudi Binladin Group për të përfunduar kullën brenda 42 muajve. Projekti synon të përmirësojë imazhin global të Arabisë Saudite, para Botërorit të vitit 2023 që Mbretëria kërkon të organizojë.

Qyteti amerikan i Milwaukee është tashmë shtëpia e kullës më të lartë të drurit në botë. Por një tjetër rrokaqiell prej druri, edhe më i lartë, mund t’i shtohet horizontit të tij, i projektuar nga studioja me bazë në Vankuver, Michael Green Architects (MGA). Firma publikoi së fundmi planet për një kullë 55-katëshe të bërë kryesisht nga druri. Nëse ndërtohet, do të rrëmbente vendin e kullës 25-katëshe Ascent, si dhe do të bëhej ndërtesa më e lartë në shtetin e Wisconsin.