Bota Tech

Rikuperim gradual i problemeve globale nga rrëzimi internetit/Zgjerohet harta e vendeve me probleme!

Probleme teknike të një shkalle të gjerë janë shënuar në të gjithë botën për shkak të përditësimit të një software-i e jo një sulm kibernetik. Banka, media e shërbime të transportit po pësojnë ndërprerje të ndjeshme në planin informatik. Kompanitë ajrore amerikane kanë vendosur një ndalesë globale për fluturimet e operuara prej tyre.

Probleme edhe në Spanjë. Po ashtu, ndaluan fluturimet në Sidnei e në Berlin. Madje, në disa spitale gjermane u anuluan ndërhyrjet kirurgjikale e programuara për sot. Në Britaninë e Madhe nuk lëvizin trenat. Problemi duket se ka të bëjë me Falcon Sensor, software-in e sigurisë kibernetike Crowdstrike, çka më pas shkaktoi bllokimin e shërbimeve Microsoft.

Kompjuterë të shumtë u bllokuan duke shfaqur një ekran blu, pa mundur të rindizen. Gjiganti IT njoftoi se ka ndërmarrë “veprime zbutëse”. Në kontinentin aziatik, nomalitë nuk kanë kursyer as Indinë dhe as Hong Kongun. Në Europë, harta e vendeve të prekura u zgjerua me Francën e po ashtu me Holandën. Ndër të tjera, raportohet se në Bursën e Milanos në Itali, indeksi u llogarit me vonesa.

Microsoft vijon të thotë se po heton se çfarë ka ndodhur. Kompania ka “përcaktuar shkakun themelor”, i cili nuk dukej të ishte një sulm kibernetik, por një problem teknik. Shumica e shërbimeve janë rikuperuar dhe Microsoft shprehet se po e trajton problemin me “përparësinë dhe urgjencën më të lartë”. Gjiganti jep shpresë se përmirësimi do të jetë gradual, çka mbetet të shihet orët apo dhe ditët në vijim.