Sport

Kategoria Superiore, sot përballen Vllaznia-Partizani e Teuta-Laçi

Sot rikthehet Superliga, me javën e 26-të. Në orën 16:00 do të luhen ndeshjet Vllaznia-Partizani e Teuta-Laçi që pritet të vijnë live në kanalet Supersport 3 e Supersport 4 në Digitalb. Vllaznia-Partizani i ngjan një finaleje të vogël, që për fituesin pritet të sjellë bonus të madh moral në garën për trofeun.

Për shkodranët, mungesa më e rëndësishme është ajo e kapitenit Erdenis Gurishta, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve. Por, trajneri Thomas Brdaric mund të mbështetet tek Arsid Kruja pasi shpesh herë ka qenë në rolin e mbrojtësit të djathtë.

Në anën tjetër qëndron Partizani me dy pikë më pak se Vllaznia dhe do të kërkojë që me fitoren e parë sezonale kundër shkodranëve t’i parakalojë në klasifikimin e Kategorisë Superiore. Ilir Daja nuk ka shqetësime sa i përket gjendjes se lojtarëve. Pritet një sfidë me shumë emocione nga dy skuadra me trajnerë si Brdaric e Daja, të njohur për vlerësimin e lojës tërheqëse, aspak të mërzitshme.

Një duel mjaft i luftuar premton të jetë edhe ai në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Teuta-Laçi është një nga përballjet më të forta të këtij edicioni në Kategorinë Superiore. Dy skuadra që luftojnë për çdo centimetër tokë e nuk hapin rrugë. “Djemtë e Detit” duan titullin kampion që u mungon nga viti 1994 dhe po atë titull kampion ëndërrojnë laçianët të cilët asnjëherë nuk e kanë shijuar në historinë e tyre.