Shqip Hop Festival, festivali më i madh kushtuar rrymës hip-hop rikthehet me edicionin e tij të tretë. Të ftuar në studion e “Live From Tirana” për të ndarë më shumë detaje me ne kanë qenë Big Basta dhe Gerhard Veizi, një nga organizatorët e këtij festivali. Ja si shprehet ky i fundit…
Si lindi ‘Shqip Hop’?
Kam rreth 6-7 vite si promovues i kulturës hip-hop, jam dhe autor i workshopeve dhe seminareve. Ndonjëherë hip-hop ka këtë konotacionet e dhunës, por ajo ka një histori shumë më të pasur se aq, është kultura më e konsumuar në botë dhe unë vendosa që ta kultivojmë.
Çfarë ndryshimesh ka pësuar festivali gjatë viteve?
Me këtë të tretin plotësohet një ideologji e vizionit tim. Edicioni i parë ishte në parkimin nëntokësor tek sheshi Skënderbej, për të simbolizuar gjenezën e kulturës. I dyti ishte në sheshin Italia dhe simbolizonte rrugëtimin e viteve ’90, që e popullarizoi hip-hopin, dhe artistët e ftuar ishin të konsoliduar dhe të vjetër në treg. Viti i 3-të do të tregojë se ku është sot dhe do të jetë i dominuar nga artistë të rinj.
Objekti i interesit të këtij edicioni është artisti Rich the Kid. Si të shkoi mendja për ta sjellë?
Fatmirësisht, kam kontakt me një rrjet promotorësh në Evropë dhe, duke qenë se kam marrëdhënie të mira, më dha mundësinë ta takoja. U habita kur ai tregoi shumë dëshirë që të performonte në Shqipëri, sidomos duke pasur parasysh se Ballkani ka shumë vende në zhvillim dhe mundësitë nuk janë aq të mëdha. Megjithatë, ai ishte shumë mirëkuptues dhe gjithçka shkoi mirë; mendoj se rruga do të na prijë po në të njëjtën mënyrë më 5 shtator.
Çfarë mund të thuash për festivalin në vetvete?
Artistë të ftuar kemi Big Basta, Buta, La Fazani nga Prishtina, talente të reja si Bleta Përtace nga Shkupi, Ges Rabo, djalë i talentuar që fitoi në konkursin që u bë në “Më Lër Të Flas” në Top Channel, Ani që ka fituar ‘rap-battle’ e parë në Shqipëri, Segi Laja, dhe shumë të tjerë. Dyert hapen që në 5 të pasdites, ku do të ketë performanca me DJ. ‘Live’ fillon në orën 7, ku do të ketë performanca me ‘breakdance’, 6 artistë grafiti vendor, ku ata do të mund të shprehin stilin e tyre artistik dhe, sigurisht, reperët, kryesorja e festivalit. Biletat janë shumë të aksesueshme me 1000 lekë, ndërsa për ato të momentit të fundit, 1500 lekë.