Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është shfaqur për herë të parë në publik që prej atentatit të muajit maj, që e la atë të luftonte për jetën.
Fico u qëllua katër herë nga një distancë e afërt në një sulm të përshkruar nga prokurorët si “terrorist”, motivet e të cilit ende mbeten të pazbardhura plotësisht. Kreu i ekzekutivit sllovak i është rikthyer retorikave nacionaliste, e nga një podium i ngritur mbi në rrënojat e një kështjelle të lashtë, Fico goditi ideologjitë progresive që ai tha se “po përhapeshin si kancer” dhe po dëmtonin vendin.
“Unë nuk dua që Sllovakia të jetë ndër vendet që janë karikaturë e qytetërimit perëndimor”, është shprehur 59-vjeçari.
Qeveria majtiste-nacionaliste e Ficos ka ndryshuar shpejt politikën që nga marrja e pushtetit shtatorin e kaluar, duke përfshirë këtu ndryshimin e disa ligjeve penale dhe ndalimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Partitë opozitare i janë kundërvënë ashpër qeverisë lidhur me ndryshimet polemizuese, ndërsa Bashkimi Europian ka vëzhguar me kujdes situatën për shkelje të mundshme të sundimit të ligjit apo lirisë së medias. Fico është përballur vazhdimisht me kritika për pikëpamje që duket se anonojnë nga Rusia, e së fundi, këta zëra morën hov sërish, të nxitura nga një takim i ministrit të jashtëm sllovak me homologun rus.