Sport

Rikthehet Euro2020, sot super çerekfinalet Zvicër-Spanjë e Belgjikë-Itali!

Pas dy ditësh pushim, është rikthyer futbolli. Sot luhen përballjet e fazës çerekfinale të Euro 2020. Siparin e ndeshjeve e hap supersfida Zvicër-Spanjë në orën 18:00. Helvetikët vijnë si surpriza e Kampionatit Evropian të Futbollit pasi mundën Francën kampionen e botës.Ndërkohë që spanjollët kanë historik në futboll.

Ndërkaq një tjetër përballje me rëndësi është ajo e orës 21:00 Belgjikë-Itali. Fituesi i këtyre dy sfidave përballen në gjysmëfinale.

Trajneri i Belgjikës Roberto Martinez në konferencën për shtyp para ndeshjes me Italinë nuk ka zbuluar nëse Kevin De Bruyne dhe Eden Hazard janë rikuperuar dhe do të jenë në fushë ndaj të kaltërve duke lënë gjithçka në dorë të mjekëve të kombëtares. Në lidhje me kundërshtarin, Italinë ai theksoi se do të jetë një ndeshje e vështirë dhe që do të vendoset nga episode.

“De Bruyne dhe Eden Hazard janë në luftë me kohën. Nuk është një para-taktikë e imja ju siguroj për këtë, janë mjekët ata që do të vendosin. Eden ka pësuar një dëmtim muscular dhe do të jetë e vështirë të luajë, ndërkohë Kevin ka një problem në ligamentin e gjurit. Të shohim, dëshira ime është t’i kem të dy në dispozicion. Belgjikë-Itali? Luajnë dy prej skuadrave më të forta të këtij kompeticioni. Kemi fituar 14 ndeshje mes eliminatoreve dhe Euro 2020, është e padrejtë të ndeshemi që në këtë fazë të turneut por jemi gati. Kam shumë respekt për Italinë që ka kualitete individuale por edhe shumë grintë e dinamizëm. Mbrojnë si skuadër dhe cilësia e tyre më e madhe është se dinë të luajnë një futboll të bukur, meritat për këtë i shkojnë Mancinit”, theksoi Martinez.