Artistja me famë ndërkombëtare Celine Dion do të rikthehet në skenë pasi u diagnostikua me sindromën e ‘Njeriut të ngurtë’ në 2022.
Sipas ‘People’ këngëtarja thuhet se do të performojë gjatë Ceremonisë së Hapjes në Lojërat Olimpike të Parisit 2024.
Celine ka mbërritur në Paris para fillimit të Lojërave Olimpike më 26 korrik. Ajo u pa duke dhënë autografe dhe duke bërë me foto me fansat.
Ylli i ‘I’m Alive’ megjithëse do të këndojë një këngë, thuhet se do të marrë një shumë prej 2 milionë dollarë.
Vitet e fundit, Dion – e cila ka shitur miliona disqe gjatë një karriere muzikore prej katër dekadash – ka luftuar me SPS, një çrregullim i rrallë neurologjik që shkakton spazma muskulore dhe dhimbje kronike.
Dion shpjegoi se ajo filloi të ndjente efektet e SPS që në vitin 2008, por ajo mbajti një orar rigoroz të turneut në mënyrë që të mos zhgënjejë fansat e saj. Ajo përshkroi se ndjente dhimbje verbuese dhe spazma të rënda rezultuan në brinjë të thyera si pasojë e sëmundjes tepër të rrallë autoimune nga e cila vuan.