Aktualitet

Rikthehen zjarret, vatra në Vlorë e Fier/Fusha e mbetjeve të Vlorës në flakë, tymi i padurueshëm!

Rikthehet emergjenca e zjarreve në vend, katër vatra në Vlorë dhe dy në Fier. Mëngjesin e sotëm, fillimisht u raportua për zjarr të përmasave të mëdha në lagjen “10 Korriku” të qytetit bregdetar jugor, ku flakët rrezikuan disa banesa në zonë.

Po në Vlorë, një tjetër vatër u shfaq në fushën e trajtimit të mbetjeve, duke krijuar një problematikë për situatën mjedisore. Tymi i shkaktuar nga djegia e mbetjeve ka mbuluar dy lagjet “Kushtrim” dhe “24 Maji”. Banorët ankohen se era e padurueshme ua bën të pamundur daljen nga shtëpitë.

Vatra zjarri edhe në fshatin Kocul e në Pyllin e Sodës ku flakët rrëzuan disa pisha. Paraprakisht, dyshohet se janë të qëllimshme. Duke mbetur në Vlorë, pasditen e djeshme u evidentuan dy vatra zjarri në fshatrat Treblovë e Dukat, për shkaqe të panjohura. Flakët u përhapën të favorizuara nga era e fortë.

Vatra zjarri edhe në Fier, në fshatrat Kuman e Sheq i Vogël. Nga raportimet në terren bëhet e ditur se flakët kanë përfshirë kodrat me ullinj të Kumanit, si dhe një zonë me kallamishte në Sheq të Vogël. Era e fortë ka favorizuar përhapjen në pjesën përreth. Në vendngjarje shkuan zjarrfikës të Patosit e Roskovecit, për të bërë të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.